Militanti shkelmoi derën, reagon PD: Sali Berisha ka krijuar celulë ilegale anti-amerikane

Partia Demokratike ka reaguar pas incidentit në seli ku një militant i Berishës shkelmoi derën e njërës prej sallave.

PD thotë se ky ishte një akt mjaft i shëmtuar që nuk është bërë në 31 vite të ekzistencës së PD-së.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Berisha ka krijuar një celulë ilegale anti-amerikane, të mbushur me bosë të krimit të organizuar e mafias.

Deklarata e PD-së:

Sjellja nga Sali Berisha në selinë e Partisë Demokratike e bosëve të krimit të organizuar, me në krye Fatjon Dautin, është akti më i shëmtuar që ka ndodhur në këto 31 vite të ekzistencës së PD. Selia e demokratëve nuk mund të sulmohet me trafikantë droge. Kjo parti s’ka asnjë lidhje me trafikantët e drogës, as me bosët e krimit të organizuar. Përpjekjet për të zëvendësuar institucionet e partisë me aktet e dhunës së bosëve ndërkombëtarë të krimit të organizuar, janë akte tipike të një celule ilegale. Institucionet e partisë kanë marrë vendimet e tyre, duke vendosur përfundimisht të zgjedhin të ardhmen, interesin e demokratëve, Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.

Fyerja e pashembullt nga Sali Berisha drejtuar 5004 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD, shumicës dërrmuese të këtij organi, duke i etiketuar si socialistë, ekstremistë të majtë, enveristë të thekur, është shprehja më e qartë që Sali Berisha ka zgjedhur të shkelë mbi çdo demokrat që i shërben interesit të demokratëve, interesit të PD dhe jo interesit personal të tij. Është fakt që shumica dërrmuese e Kryesisë së Partisë, e Këshillit Kombëtar dhe e Kuvendit Kombëtar, kanë zgjedhur të ardhmen dhe interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar bunkerizimin e PD për hallet personale të askujt./albeu.com/