Mijëra njerëz në shesh gjatë pandemisë, demokrati: Na doli situata nga kontrolli!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi deklaroi se situate e mitingut të zhvilluar një ditë më parë në sheshin “Nënë Tereza” u doli nga kontrolli.

I ftuar në “Java në RTSH”, Bardhi tha se qëllimi i tyre nuk ishte aspak të shkaktonin grumbullime masive, por që qytetarët nuk përmbaheshin. Ai tha se vetë Lulzim Basha, kreu i PD-së, është i pari që respekton çdo masë në çdo dalje të tijën publike.

“Nuk ishte qëllimi ynë që të kishim grumbullime masive. Donim që qytetarët të futeshin dhe të qëndronin në makina, por situate na doli nga kontrolli. Ju e keni parë shumë mirë që vetë kryetari i PD-së i ka respektuar të gjitha masat vetë, vendos maskën.

Ne kemi bërë edhe dje thirrje për ruajtje distance dhe për mbajtjen e maskës, por nuk u bë e mundur.

Ka edhe diçka tjetër, unë nuk ua shpjegoj dot qytetarëve në daljet tona se përse kur na takojnë ne, duhet të jemi më pak se 10 persona, ndërsa nëse janë vetëm qytetarët në kafe, në përditshmëri, mund të jenë edhe 50,”- tha Bardhi ndër të tjera.

Shtuar 26.03.2021 10:03