Fillimisht protestuan për flamingot, por tani turma në rrugët poshtë zyrës së kryeministrit shqiptar Edi Rama ka nisur të thërrasë edhe për shkolla, vende pune dhe standardin e jetesës dhe kërkon dorëheqjen e tij.
Zogjtë shtegtarë rozë u bënë simbol i protestave të përnatshme në Shqipëri, sepse ata grumbullohen në Lagunën e Nartës, një zonë e mbrojtur pranë qytetit bregdetar të Vlorës.
Të lidhura
None found
Një grup investitorësh ndërkombëtarë, përfshirë dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, synojnë të zhvillojnë një resort luksoz pranë zonës, dhe qeveria u ka dhënë statusin e “investitorit strategjik”.
Ende nuk është dhënë leje ndërtimi, dhe qeveria e Ramës thotë se vlerësimi i ndikimit në mjedis nuk ka nisur ende, por në terren janë vërejtur rrethime dhe mjete gërmimi.
Protestat lokale në shkallë të vogël për ndikimin e mundshëm mjedisor u shndërruan në protesta kombëtare një muaj më parë, kur një video ku roje private sigurie dhunonin një protestues u përhap në rrjetet sociale. Ngjarja është konfirmuar edhe nga kryeministri.
Pakënaqësia tani është zgjeruar, duke përfshirë shqetësime më të gjera për mënyrën se si po zhvillohet Shqipëria dhe si po qeveriset vendi.
“Jam këtu për shkollat tona,” thotë për BBC një protestuese e re e quajtur Helena.
“Jam këtu për spitalet tona, për infrastrukturën tonë, për familjen time që është jashtë Shqipërisë dhe që ka dashur të jetë këtu. Dhe për të gjitha këto, jam këtu kryesisht për veten time, sepse dua të qëndroj në vendin tim dhe nuk dua të largohem”, thotë ajo.
Rama dhe Partia Socialiste janë në pushtet prej 13 vitesh. Gjatë kësaj kohe, Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm.
Hapësira urbane e kryeqytetit, Tiranës, është transformuar me një numër të madh kullash, të projektuara kryesisht nga arkitektë ndërkombëtarë. Në të njëjtën kohë, turizmi ka pasur një rritje të madhe, duke ndryshuar imazhin ndërkombëtar të vendit dhe duke përbërë më shumë se një të pestën e PBB-së.
Ndoshta një nga zhvillimet më të rëndësishme është përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Nga një pikënisje në vitin 2022, vendi synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit të ardhshëm. Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Mali i Zi është më përpara dhe ai ka një dekadë më shumë negociata.
Por këto arritje nuk bindin protestuesin e njohur Fatos Lubonja. Shkrimtari dhe aktivisti i të drejtave të njeriut ka vuajtur 17 vite në një kamp pune të detyruar gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.
Sot, sipas tij, qeveria aktuale mbahet në këmbë nga “oligarkë, krimi i organizuar, media dhe ndërkombëtarë të korruptuar”, ndërsa bumi i ndërtimit nuk është gjë tjetër veçse pastrim parash.
“Ne duam që drejtësia të hetojë,” thotë ai, duke treguar kullat e larta që rrethojnë Sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës. “Nëse shikon të gjitha këto kulla, del se ky është një plan i krimit të organizuar, i oligarkëve dhe i funksionarëve të shtetit”, shton ai.
Duke marrë një moment të qetë në zyrën e tij në mes të pasdites, para se të nisin protestat e mbrëmjes, Rama i konsideron protestat si shenjë të një shoqërie demokratike dhe funksionale.
Megjithatë, disa nga aleatët e tij më të afërt politikë janë nën hetim nga prokuroria anti-korrupsion në Shqipëri (SPAK), përfshirë ish-zëvendëskryeministren dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Pra, a duhet të shqetësohen shqiptarët edhe për integritetin e kryeministrit?
“E kam thënë që ditën e parë: dua një drejtësi që nuk shikon majtas, nuk shikon djathtas, por shikon drejt,” thotë Rama. “Një drejtësi që nuk blihet, nuk ushtrohet presion mbi të dhe nuk kontrollohet nga askush në distancë. Dhe kam thënë gjithashtu se kjo është kontributi më i madh që Partia Socialiste do t’i japë këtij vendi, sepse nuk do të kontribuojë vetëm me reforma, por duke vënë edhe veten në provë për vendin.”
Por anëtarja më e re e parlamentit shqiptar ka vendosur se bashkëpunimi me Partinë Socialiste nuk është më zgjidhja. Rama e kishte përzgjedhur personalisht 25-vjeçaren Majana Koçeku si kandidate në zgjedhjet e vitit të kaluar, pasi ajo ishte bërë e njohur si aktiviste mjedisi në qarkun e Shkodrës.
Tani ajo është larguar nga partia, duke thënë se rinia e saj nuk e lejonte “të qëndronte dhe të duartrokiste qeverinë dhe të bënte sikur nuk po ndodh asgjë”. Sipas saj, Rama është një pjesë e madhe e problemit.
“Ai nuk i frymëzon më njerëzit dhe mendoj se kjo e ka çuar në një krizë të madhe legjitimiteti. M’u desh kohë ta kuptoja se përtej fasadave të bukura që duken kaq të shkëlqyera, realiteti nuk është i njëjtë. Dhe njerëzit po e kuptojnë gjithnjë e më shumë çdo ditë”, shprehet Koçeku për BBC.
Për momentin, situata duket se ka një ngërç. Protestuesit nuk po tërhiqen dhe as Rama nuk po largohet. Kështu, flamingot pritet të mbeten një pamje e njohur në protestat në rrugët e Tiranës./BBC
