Meta tregon ku e gjeti frymëzimin për recitimin në Korçë: Pse u shqetësuan “çunat e Ballkanit të Hapur”?

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka bërë ditën e sotme homazhe tek shtatorja e Ismail Qemalit në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Më pas Meta ka folur për mediat për ngjarjet më të rëndësishme në vend, ku një peshë të madhë zënë zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Ndër të tjera, Meta u pyet nga gazetarët edhe për recitimin që bëri së fundmi në Korçë ndërsa në qytetin juglindor kishte nisur bora.

Kreu i shtetit tha se u frymëzua nga reshjet e dëborës që mungojnë në kryeqytet por edhe nga artistët e Korçës si dhe historia e qytetit. Megjithatë, shtoi Meta, vargjet patriotike që ai recitoi mund të kenë shqetësuar ata që ai i quajti “çunat e shoqatës së Ballkanit të Hapur.”

“Të shkosh në Korçë, të rrish me artistë të jashtëzakonshëm, të përjetosh momentin që kur ti shkon nis edhe dëbora që na mungon aq shumë.. Duheshin marrë masa të mos mbylleshin shkollat. E kuptoj që çunat e shoqatës së Ballkanit të Hapur, janë të shqetësuar nga përmbajtja e vargjeve që recitova që i dedikohen një akti patriotik si hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë… Janë të lirë të vazhdojnë me poezi të Ballkanit të Hapur. Unë nuk jam kaq kozmopolit. Unë jam i angazhuar në dashurinë për atdheun.”

Ndërsa, i pyetur nëse presidenti do të jetë i angazhuar në këto zgjedhje të pjesshme, Meta tha se ndryshe nga rrethanat e zgjedhjeve të 25 prillit , sot janë disa deputetë që janë të angazhuar për të përmbushur misionin e opozitarizmit.

“Në çdo rast ka shumë të tillë që do të bëjnë detyrën e tyre. Presim për çeljen e negociatave me BE. Brenda 6 muajve, këto zgjedhje janë një mundësi për të lënë pas shkrirjen e shtetit me partinë.”/albeu.com/


Shtuar 24.01.2022 13:21