Meta përkujton 11 Shtatorin: Krah për krah me SHBA-të për mbrojtjen e vlerave (FOTO LAJM)

Presidenti i vendit, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me sulmet terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Meta shprehu solidaritetin e tij për viktimat e sulmit dhe ngushëllimin për familjarët.

Për presidentin, Shqipëria dhe SHBA qëndrojnë krah njëra-tjetrës në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së vlerave.

Meta kujtoi edhe Kapiten Feti Voglin, që humbi jetën gjatë misionit të tij në Afganistan.

Postimi i Ilir Metës:

Në 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nderojmë kujtimin e paharruar të jetëve të humbura dhe solidarizohemi me familjet e tyre dhe popullin amerikan!

Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, në të mirë të interesit të përbashkët të popujve tanë miq.

Të vendosur, si vend anëtar i NATO-s, për të përmbushur çdo angazhim kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, autoritarizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që rrezikon paqen dhe stabilitetin, kudo në botë.

Mirënjohje për sakrificat e të gjithë ushtarakëve tanë dhe personelit mbështetës, që kanë sakrifikuar gjatë këtyre dy dekadave në vijën e parë kundër terrorizmit!

I përjetshëm kujtimi i Kapiten Feti Voglit!


Shtuar 11.09.2021 10:16