Presidenti Ilir Meta këtë të martë ka kthyer për shqyrtim në Kuvend ligjin për rivlerësimin e punonjësve të policisë së shtetit, Gardë dhe SHÇBA.
Sipas Metës ndryshime kaq të shpeshta të ligjeve tregojnë gabime, ose ndryshime që bëhen për çështje politike.
Sipas Presidentit Meta, “kjo është ndërhyrja e 3 (tretë) që i bëhet ligjit brenda një kohe kaq të shkurtër. (5 mars 2018 – 8 mars 2021)”.
Ndaj dhe Kreu i Shtetit ka kërkuar që Kuvendi dhe Qeveria, ose të pranojnë dështimin e vetting-ut në Polici dhe të nxjerrin përgjegjësit e kësaj nisme të dështuar, ose të pranojnë qëllimin politik për të mbajtur nën presion të vazhdueshëm efektivët e policisë.
Nisur nga këto argumente, Presidenti i ka bërë të qartë Kuvendit se kjo procedurë e ndjekur shkel “parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të parashikuar nga neni 7, i Kushtetutës së Shqipërisë dhe është tregues se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë trupëzuar në një organ të vetëm, dhe ku ky i fundit (Kuvendi) ka humbur krejtësisht rolin mbikqyrës e kontrollues ndaj ekzekutivit.”
Madje, sipas Presidentit, “këto veprime praktikisht mund të konsiderohen edhe falsifikim të vullnetit në propozimin e nismave ligjore”.
Meta evidenton se nisma jo vetëm shkel nenin 82, të Kushtetutës, pasi shtyn pa afat duke e pezulluar procesin e vettingut për një pjesë të trupës policore, por shkakton edhe një efekt negativ financiar në Buxhetin e Shtetit, pa marrë as miratimin e Këshillit të Ministrave siç kërkon Kushtetuta në këto raste.
“Mospërcaktimi i kohës së mbylljes së procesit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut), apo pezullimi pa afat i vet procesit krijon terren që ky vlerësimi kalimtar (vetting-u) të përdoret si një mekanizëm ndëshkimor apo shantazhues për gjithë strukturën policore, ç’ka mund të sjellë një situatë shqetësuese, paqëndrueshmërie dhe destabilizuese në këtë strukturë.”, – argumenton gjithashtu Meta në dekretin e tij.
Presidenti Meta citon gjithashtu se kjo nisëm ligjore bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.