Meta 2 orë në SPAK për çështjen ÇEZ-DIA: Nuk ekziston asnjë shkresë, s’kam firmosur në interes të askujt

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur sërish për gazetarët pas dëshmisë së tij në SPAK.

Ai ka deklaruar se nuk ekziston asnjë akt apo shkresë që ai të ketë nënshkruar në interes të dikujt.

“Në çdo rast tjetër nuk ekziston asnjë akt, shkresë, dokument, urdhër për ligje dhe akte nënligjore, nga Ilir Meta në detyrat e tij si zv.kryeministër as ministër i ekonomisë, përfshirë këtu edhe DIA edh CEZ. Isha si një person që ka dijeni për rrethana të caktuara. U pyeta për detaje të ndryshme të cilat nuk kanë asnjë rëndësi”, tha ai.

Ditën e sotme, Ilir Meta u paraqit në SPAK dhe ishte vetë kreu i PL-së që i tha gazetarëve se ishte thirrur për çështjen ÇEZ-DIA, të cilën e quajti telenovelë.

Për telenovelën ÇEZ-DIA. Meqë jeni lajmëruar herët dhe po përballoni dhe shiun. Është një telenovelë, që është e gjykuar nja dy herë, dhe është rihapur për rastin konkret në dhjetor të 2029 nga një kallëzues i rremë që është dënuar dy herë nga gjykata për shpifje dhe për dhunë në familje. Faleminderit”, tha Meta më herët.

Çështja ÇEZ-DIA

Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka dëshmuar se Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Hetuesit mund të konfirmojnë udhëtimet e Metës në Çeki, por edhe çështjet e diskutuara.

Ndërkaq, vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta i kërkon Kastriot Ismailajt, 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat në familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para.

Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qenë mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ.

Ismailaj paraqiste fatura fiktive, merrte paratë nga CEZ dhe më pas CEZ favorizohej nga qeveria Berisha-Meta. Pasi Ilir Meta u bashkua me PS, në vitin 2015, Sali Berisha e ktheu në kauzë implikimin e Metës në çështjen CEZ-DIA, kërkoi dorëheqjen dhe hetimin e tij.


Shtuar 8.11.2023 11:26