Messi rinovon për 10 sezone me Barcelonën?

Presidenti Laporta e ka një plan të qartë për të bindur Lionel Messin për të luajtur gjatë te Barcelona madje për ta kthyer në një figurë të rëndësishme të klubit.

Mësohet se numri 1 i katalanasve ka takuar Jorge Messin, dhe palët kanë mbetur të kënaqur nga propozimi dhe përgjigja teksa përfundimi do të jetë i lumtur me një rinovim të gjatë 10-vjeçar. Eshtë ky zbulimi që ka bërë “The Times” që shkruan se Laporta i ka ofruar Messit mundësinë për të luajtur shumë sezone me Barcelonën dhe më pas ta lejojë ta mbyllë karrierën në Major League Soccer e ndërkohë të jetë edhe ambasador i klubit në botë.

Nuk mjafton me kaq sepse sipas një marrëveshjeje paraprake, Messi me të mbyllur futbollin e luajtur do të rikthehet te Barcelona me një rol të rëndësishëm si drejtues ekzekutiv dhe kjo do të shërbejë për ta identifikuar argjentinasin gjithmonë e vetëm me Barcelonën në futbollin botëror.

Por nga sa kuptohet paraprakisht, rinovimi i Messit do të bëhet me një reduktim të ndjeshëm të pagës e cila do të jetë larg shifrës së frikshme që përfiton tani, afro 70 mln Euro në sezon.


Shtuar 30.04.2021 18:13