Menaxheri i Kosovës Bajram Shala thotë se FFK ka refuzuar disa lojtarë që iu janë vetë-ofruar në shenjë respekti për FSHF-në, por që kjo e fundit nuk ua ka kthyer respektin.
Gjatë kohës sa ishte live në “Top-News” me moderatoren Dafina Hysaj, Shala tregoi pakënaqësinë e Federatës së Kosovës për mënyrën si FSHF-ja po vepron në këta muajt e fundit.
Ai deklaroi se Federata Shqiptare ka punuar prapa shpinës së FFK-së duke joshur dyshen Mirlind Daku dhe Arbnor Mujën, që kanë qenë të pakënaqur me minutazhën.
“Kemi pakënaqësi të brendshme dhe duhet të kemi, sepse është stërtepruar. Ne i kemi kuptuar kur FSHF-ja i është ofruar lojtarëve me prejardhje nga Kosova dhe iu ka ofruar shansin të luajnë për Shqipërinë, por të merren futbollistë që kanë luajtur për Kosovën në miqësore, kjo është përtej reprocitetit dhe bashkëpunimit të dy federatave. Kjo është përtej frymës sportive. Dy futbollistët e fundit (Mirlind Daku dhe Arbnor Muja) ishin pjesë të ekipit tonë kombëtarë edhe në grupmosha, ndërsa Shqipëria i afroi duke punuar prapa shpinës sonë dhe joshur ata”.
Shala gjithashtu nënvizoi se Kosova ka refuzuar disa lojtarë të Shqipërisë që i ishin vetë-ofruar shkaku i respektit për FSHF-në.
“Kemi pasur disa raste kur futbollistë nga Shqipëria kanë shprehur dëshirë për të qenë pjesë e Kosovës në momente të ndryshme të karrierës së tyre, por për shkak respekti ose të themi fair-play me Federatën Shqiptare ne nuk i kemi afruar ata futbollistë. Ata na janë vetë-ofruar por s’dua t’ua përmend emrat që t’i vendos në ndonjë pozitë të palakmueshme dhe të gjykohen në Shqipëri. Kemi pritur një trajtim të njëjtë, por nuk ka ndodhur”.
Në fund, ai nënvizoi se duhet të vendoset një rregull që nuk e lejon lojtarët e njërit shtet të shkojnë te tjetri.
“Kjo nuk shkon në të mirë të asnjërit nga ekipet kombëtare, është dukuri që duhet të shikohet edhe njëherë dhe të kemi një lloj vendimi që futbollistët e njërit shtet të përfaqësojnë atë shtet dhe të tjerët shtetin tjetër. Kaq është kjo punë”, deklaroi Shala.