Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kundërshtoi sot në Komisionin e Ligjeve nismën e Enkeled Alibeajt që të hapen dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për çdo qytetar.
Mediu tha se nga kjo nismë duhet të përjashtohen ish-të përndjekurit politikë dhe i kërkoi Alibeajt që të heqë dorë nga kjo nismë.
Duke iu përgjigjur, Alibeaj shprehu mirëkuptimin për Mediun, por tha se ka ardhur koha për të zbuluar të vërtetat.
“E vërteta na bën të lirë. Në analizë të fundit edhe pjesa e të përndjekurve ata që kundër dëshirës së tyre të shtyrë, të shantazhuar, nën presion mund të jenë thyer nga presioni komunist, shoqëria shqiptare sot, por edhe familjet e tyre duhet të kuptojnë që shkak nuk ka qenë thyerja e tyre por kriminaliteti i shtetit. E kuptoj zotin Mediun. Por jo, e vërteta na bën të lirë. Unë e njoh mirë shtresën e të persekutuarve, ata e kanë fisnikërinë. Për shkak se për arsye të kësaj fisnikërie janë persekutuar. Koha ka ardhur dhe ka kaluar. Më mirë vonë sesa kurrë”, tha Alibeaj./albeu.com/