Ndërkohë që në Shqipëri vijon debati në lidhje me shkakun real të mbylljes së kopshtit të kompanisë “Turgut Ozal” dhe të kolegjit të vajzave “Mehmet Akif”, në Turqi janë të qartë. Mediat turke raportojnë se shkollat në fjalë u mbyllën pas kërkesës së Presidentit të Turqisë Erdogan.
“Takvim”, një gazeta pranë qeverisë në Turqi shkruan se gjithçka ndodhi “pas përpjekjeve të gjata diplomatike dhe vizitës së fundit të Presidentit të Turqisë në Ballkan”.
Sipas “Takvim”, qeveria shqiptare vendosi mbylljen e këtyre shkollave dhe përzënien e mësuesve prej tyre pas aktivitetit të shtuar të diplomacisë turke.
“Shkollat u mbyllën pas përpjekjeve diplomatike të Turqisë. Menjëherë pas vizitës së Presidentit Erdogan në Ballkan filloi edhe mbyllja e aktivitetit të tyre duke u përzëënë prej andej. Pas kopshtit të kompanisë Turgut Ozal, u mbyll edhe kolegji “Mehmet Akif””, shkruan Takvim në faqen e saj.
Të njëjtën gjë kanë raportuar edhe gazetat “Aksam” si edhe televizioni shtetëror turk, TRT.
Ndërkohë, pas interesimit të djeshëm nga mediat, kryeministri Rama tha se nuk duhej gjetur asnjë shkak pas vendimit të qeverisë për mbylljen e shkollave përveç se zbatimin e ligjit.
Pas mbylljes së kopshtit dhe kolegjit të vajzave, më shumë se 400 fëmijë dhe adoleshentë janë tashmë pa një vend ku të mësojnë.