Të tjera detaje kanë dalë nga veprimtaria e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut, i cili u arrestua ditë më parë në Itali pasi u kap bashkë me nipin me një sasi prej 20 kilogramësh kokainë nga karabienrët e San Benedeto del Tronto në një fidanishte në qytezën Grotamare ku kishte shkuar për të blerë bimë që rriten në vazo dhe në to fshehu sasinë e drogës.
Kajmaku vijon të jetë në shënjestër të autoriteteve italiane që prej arrestimit të tij.
Il Resto del Carlino shkruan për ngjarjen e bujshme duke e cilësuar si një histori filmi që në fakt është e vërtetë. Hetimet për ish-kryebashkiakun krahas italisë, janë shtrirë edhe në Shqipëri.
Ditët e fundit në portin e Durrësit është ushtruar kontroll në një prej kamionëve të kompanisë së Kajmakut. Aty janë zbuluar disa vende të fshehta ku dyshohet se futej droga megjithatë, brenda mjetit nuk është konstatuar asnjë sasi droge. Prandaj autoritetet dyshojnë se kjo është skema se si kanë arritur të lëvizen qindra kilogramë drogë.
Il Resto Del Carlino thotë se policia shqiptare ka arritur që të zbulojë një llogari bankare në emrin e gruas së Agim Kajmakut me 2 milionë Dollarë brenda. Nën hetim është origjina e këtyre parave. Hetuesit kanë verifikuar po ashtu, se Kajmaku ka udhëtuar nga Tirana në Ancona me avion 5 ditë para se të sekuestrohej sasia e drogës. Më pasi, ai ka udhëtuar në Monterubbiano së bashku me nipin e tij, duke përdorur një makinë me qira.
Sipas të dhënave nga mediat italiane, nipi i Kajmakut, Edmond Kajmaku, 34 vjeç, para se të arrestohej jetonte në Monterubbiano dhe më përpara ka qenë drejtor i UKT.
“Pra dy persona të pa dyshuar: Një politikan dhe një ish-ekzekutiv i rëndësishëm. Megjithatë, të dy kanë lëvizur kilogramë të tërë me drogë me supozimin se mbështeten nga krimi i organizuar shqiptar”, shkruan media italiane.