Që nga viti 2018, më shumë se 100,000 emigrantë kanë kaluar kanalin anglez, duke përdorur varka të vogla, megjithë qëndrimin e ashpër të qeverisë konservatore britanike kundër imigracionit të paligjshëm.
Ditën e djeshme, 755 emigrantë kaluan kanalin, një numër rekord ditor që nga fillimi i vitit, tha Ministria e Brendshme Britanike.
Sipas një raporti të AFP-së, 100,715 migrantë kanë kaluar që kur Mbretëria e Bashkuar filloi numërimin e këtyre kalimeve në vitin 2018, kryesisht nga brigjet franceze.
Masat e rrepta në portin e Calais dhe terminalin e Eurotunelit e kanë bërë më të vështirë, nëse jo të pamundur, kontrabandimin e emigrantëve me kamion, duke bërë që kontrabandistët të zgjedhin rrugën detare.
Kryeministri konservator Rishi Sunak është zotuar të “ndalojë barkat” e emigrantëve pasi sondazhet tregojnë se laburistët kryesojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 2024.
Një nga ngushticat më të ngarkuara në botë, kanali anglez shpesh është skena e mbytjeve të anijeve të vogla të mbushura me emigrantë.
Njëzet e shtatë persona humbën jetën në nëntor 2021. Dje të enjte u shpëtuan 17 emigrantë, njofton Ministria e Brendshme.
Pavarësisht premtimeve të Brexit për të “marrë kontrollin” e kufirit, numri i emigrantëve që arritën të kalonin në tokën britanike me varka të vogla arriti nivele rekord në vitin 2022, me 45,000 njerëz .
Që nga fillimi i vitit ky numër ka shkuar në 15,826, duke treguar një prirje rënëse.
Duke adoptuar një retorikë të ashpër kundër emigrantëve, qeveria Sunak ka shumëfishuar ditët e fundit njoftimet për masat që synojnë të luftojnë fenomenin.
Këtë javë ai tha se po krijonte një ekip për të trajtuar “avokatët që ndihmojnë migrantët të përfitojnë nga sistemi i imigracionit” në Britani. Qeveria gjithashtu rriti mbështetjen e saj financiare për Francën për mbikëqyrjen bregdetare.
Në të njëjtën kohë, parlamenti britanik miratoi një ligj të diskutueshëm të imigracionit në korrik që mohon të drejtën për të aplikuar për azil në Britani nga emigrantët që hyjnë ilegalisht në vend dhe OKB-ja e ka denoncuar ligjin si në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Ligji parashikon deportimin e azilkërkuesve në vendin e tyre ose në vende të treta si Ruanda, një plan i bllokuar aktualisht nga gjykatat./Albeu.com/