“Më goditi me grusht ”, Halit Valteri kallëzon në polici Tedi Blushin, çfarë ndodhi në mbledhjen e këshillit bashkiak

Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, madje edhe konfrontime mes këshilltarëve.

Në dy rastet e tensioneve protagonist del këshilltari i opozitës, Tedi Blushi. Fillimisht ai ka hedhur një tufë me letra në drejtim të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe më pas ai u përfshi në një konfrontim fizik me këshilltarin socialist, Halit Valteri.

Ky i fundit pretendon se është goditur me grushta dhe sende të forta nga Blushi. Gazetari Igli Çelmeta raporton për Balkanweb se Valteri ka kallëzuar në polici për dhunë Sekretarin e Përgjithshëm të PL-së.

Incidenti solli edhe reagimin e kryebashkiakut Veliaj i cili paralajmëroi se do të kërkojë masa ligjore ndaj çdo akti rrugaçëror, siç e quajti përplasjen mes dy këshilltarëve.

Në anën tjetër, kreu i PL-së, akuzon Erion Veliajn, kryebashkiakun e Tiranës, dhe këshilltarin socialist, Halit Valteri, për sulm ndaj Tedi Blushit.


Shtuar 22.07.2024 18:04