Me drogë në çantën e krahut, 28-vjeçari nga Fieri arrestohet pasi kundërshtoi forcat “Shqiponja”

Policia e Fierit ka goditur një rast të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar 11 doza me kanabis, duke arrestuar poseduesin dhe shpërndarësin e lëndës narkotike, i cili ka kundërshtuar efektivët gjatë ndalimit.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, arrestuan në flagrancë shtetasin G. B. (T)., 28 vjeç, banues në Fier.

 

 

Në vendin e quajtur “Ish-globi”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz” me të cilin udhëtonte, ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të Policisë për kontroll, duke i kundërshtuar ata. Gjatë kontrollit fizik, në çantën e tij të krahut u gjetën dhe u sekuestruan 11 doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.

Materialet procedurale për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Shtuar 10.06.2021 09:06