“Më dëgjo mua”, Rama publikon videon nga takimi me banorët e “5 Majit”, qytetarja: Nuk duam më gënjeshtra (VIDEO)

Kryeministri Rama ka publikuar pamjet nga takimi i zhvilluar me tre nga banorët protestues të lagjeve që do të prishen banesat për projektin e Unazës së Madhe.

Rama në fjalën e tij ka kërkuar nga banorët që të jenë të mirkuptueshëm dhe të firmosin marrëveshjen me bashkinë.

Sipas kryeministrit, lagjia ku ata jetojnë do të bëhet më e bukur dhe të gjithë sipas Ramës do të strehoen, ashtu siç u strehuan edhe banorët, shtëpitë e të cilëve u shembën nga tërmeti.

Ndërkaq një nga qytetaret që ishte në takim është shprehur se është e zhgënjyer dhe se bashkia për shkak se e ka shtëpinë pa letra nuk do ta marrë parasysh dhe familja e saj ngelet në rrugë.

Rama i ka kërkuar zonjës që të ruajë qetësinë pasi ajo është e njëjtë me të gjithë dhe nuk do të ngelet pa shtëpi.

Pjesë nga biseda:

Qytetarja: Më kanë përjashtuar nga lista, kam disa pyetje.

Rama: Më dëgjo njëherë mua, aty do të bëjmë një lagje për të strehuar të gjithë ju.

Qytetarja: Mua jo se jam pa leje.

Rama: Edhe ti, më dëgjo mua.

Qytetarja: Do më japësh fjalën ti që do më bësh me shtëpi.

Rama: Dëgjo mua njëherë.

Qytetarja: Dua të bëj pyetje se kështu e bëni ju na takoni dhe ikni, nuk e kam personalisht me ju, por ju thoni gjërat e tuaja dhe largoheni. Por unë kam thënë nëse më zgjidhni punë do ju voto.

Rama: Pyetjet në fund, votën jepjani atyre që do, s’jam për votë këtu por sepse ju jeni njëlloj për mua si qofshi me votë si pa votë.

Qytetarja: Nuk duam më gënjeshtra.

Rama: A ka mundësi të më dëgjosh, dëgjo mua. A do më dëgjosh se u bë disa herë që më ke ndërprerë fjalën, qenke gati për tu bërë deputete e partisë që ke votuar se nuk të lini me fol.

Qytetarja: Jo nuk kam votuar asnjë unë, jam e përjashtuar.

Ndër të tjera kryeministri Rama është shprehur se në lagjen 5 maji do të bëhet një lagje e bukur dhe pjesë e saj do të jenë jo vetëm banorët që kanë banesat aktualisht aty por edhe ato që kanë ngelur pa shtëpi nga tërmeti./albeu.com/


Shtuar 10.02.2022 15:20