Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, me anë të një postimi në Facebook komentoi vendimin e qeverisë “Rama” për të mbyllur për një vit rrjetin social TikTok në Shqipëri.
Sipas tij, modeli më i keq për fëmijët shqiptarë nuk është TikTok-u, por qeverisja e Edi Ramës.
GAZMENT BARDHI: Modeli dhe ndikimi më i keq tek fëmijët është qeverisja e Edi Ramës! Ajo i jep modelin fëmijëve se nëse vjedh bëhesh ministër; nëse vret apo trafikon drogë bëhesh deputet; nëse dhunon dhe bashkëpunon me bandat bëhesh drejtor policie; nëse je arrogant bëhesh kryetar bashkie; nëse je militant partie bëhesh drejtor shkolle; apo nëse je bandit emëron drejtorë dhe fiton tendera.
A nuk është më e shëndetshme për fëmijët dhe garanci më e madhe për mirërritjen e tyre që të mbyllim qeverinë e Edi Ramës?! Sigurisht që PO! Boll është boll, 12 vjet keqqeverisje dhe gjithmonë një alibi e gatshme që faji është diku tjetër. E vërteta është që faji është tek papërgjegjshmëria e Qeverisë së Edi Ramës, tek mungesa e politikave të duhura në arsim, tek shndërrimi i shumicës së mësuesve në trupë elektorale!