Mbyllja e Gjykatave dhe Prokurorive në disa qytete, Meta: Ramaforma po shkatërron aksesin e qytetarëve për drejtësi

Nga dita e sotme (1 maj), 9 Gjykata dhe Prokurori të shkallës së parë në rrethe do të shkrihen në zbatim të hartës së re gjyqësore.

Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë ajo e Tropojës, Matit, Kurbinit, Pukës, Krujës, Kavajës, Lushnjës, Përmetit edhe Pogradecit.

Bashkë me Gjykatat, do të mbyllen edhe Prokuroritë përkatëse, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët, sikurse edhe dosjet do të transferohen në Gjykatat e tjera!

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediet deklaroi se “Ramaforma po shkatërron aksesin e qytetarëve për drejtësi, po shton zvarritjet, burokracitë dhe kostot.”

Meta deklaroi se nga sot dhjetëra mijërave qytetarëve do t’u hiqet mundësia për të ndjekur çështjet e tyre në gjykata dhe prokurori.

“Nga sot për fat të keq dhe Gjykatat e Shkallës së Parë do të mbyllen në Lushnjë, në qytetin e Kongresit, në Pogradec, në Kavajë, në Kurbin, në Mat, Tropojë, Përmet etj. Ramaforma në drejtësi në kundërshtim të plotë me të gjitha ndryshimet e bëra para 7 vitesh po shkatërron aksesin e qytetarëve për drejtësi, po shton zvarritjet, burokracitë dhe po u rrit kostot që t’i lërë ata pa drejtësi. Kjo hartë e re gjyqësore është një anti-reformë. Nuk merr parasysh largësinë e qytetarëve nga gjykatat dhe mundësitë e kufizuara të transportit. Më 14 maj qyt e Shqipërisë do të votojnë edhe kundër Ramaformës e cila po ua bën drejtësinë edhe më të pamundur, dhe më të paarritshme dhe më të shtrenjtë, në mënyrë që t’i lërë pa drejtësi”, tha Meta.

Në vend mbeten 13 Gjykata e Prokurori të shkallës së parë nga 23 që funksiononin.

Në fazën e parë të hartës së re gjyqësore të zbatuar në shkurt, u mbullën 6 Gjykatat e Apelit, të cilat janë grupuar në  Gjykatën e Apelit të juridiksionit të përgjithshëm.

Faza e tretë që do të zbatohet në korrik, parashikon shkrirjen e Gjykatave Administrative në vetëm dy të tilla, me seli në Tiranë dhe Lushnje.

Harta e re gjyqësore parashikon 16 gjykata në total, 13 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative./Albeu.com/


Shtuar 1.05.2023 13:58