Protesta kundër qeverisë, e zhvilluar për të 51-ën ditë, është mbyllur. Mijëra qytetarë vijojnë të grumbullohen në kryeqytet, duke kërkuar ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë marshimit nëpër rrugët e Tiranës u dëgjuan thirrjet “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”. Qytetarët shfaqën pakënaqësinë e tyre ndaj klasës politike, të cilën e akuzuan për korrupsion dhe mungesë përfaqësimi.
Të lidhura
None found
Kritikat e pjesëmarrësve u drejtuan edhe ndaj Kuvendit, të cilin ata e përshkruan si një institucion që nuk u shërben interesave të qytetarëve. Gjatë marshimit u artikuluan gjithashtu sloganet “Jo më Zegjine”, “140 deputetë, të gjithë analfabetë” dhe “Parlament i krimit”.
Protestuesit, të pajisur me pankarta dhe duke brohoritur kundër mazhorancës, deklaruan se nuk do ta ndërpresin rezistencën. Sipas tyre, kërkesat e paraqitura nuk janë të negociueshme.
Një prej aktivistëve u bëri thirrje qytetarëve që të vijojnë pjesëmarrjen, duke deklaruar: “Në datën 23 duhet të jemi këtu, të mos mungojmë”.
Prej 51 ditësh, protesta ka si kërkesë kryesore largimin e Ramës dhe realizimin e një ndryshimi të thellë në mënyrën e qeverisjes.
