LIVE/ Mblidhet Komiteti i Ekspertëve, si paraqitet situata e pandemisë në vend

Komiteti Teknik i Ekspertëve në një dalje për media, ka bërë me dije se këto dy javë incidenca ka pësuar zbritje. Tashmë numërohen mesatarisht 419 raste të reja me koronavirus në ditë. Por në anën tjetër, ka rritje në numrin e bashkive të prekura dhe vihet re një ritje në bashkitë e vogla.

Drejtoresha e ISHP Albana Fico bëri me dije se është bërë një ritual vlerësimi i masave.

“Sot do të shqyrtojmë periudhën nga 17-30 mars. Incidence dy javore ka pësuar një zbritje. Mesatarja gjithashtu. Totali i rasteve aktive ka pësuar zbritje gjithashtu. Ne akoma nuk jemi të kënaqur sepse për të gjithë ata që ndjekin nga afër situatën, objektivi është të shkojmë shumë më poshtë. Numri i bashkive të prekura ka pësuar rritje, e cila ka shkuar në 40. Mesatarja e shtrimeve në spitale ka pësuar ulje. Numri i të intubuarve ka pësuar ulje. Një numër më i pakët është ai i vdekjeve. Kjo situatë në krahasim me atë çfarë ne vlersuam herës së kaluar, ka disa ndryshime që mund të jenë të vogla, por në tërësinë e vet, ne mendojmë se mbetet një situatë me numra të kontrolluar, por sërish delikate. Ne kemi një shkak për tu ndjerë më mirë, atë të nisjes së vaksinimit masiv. Deri dje janë kryer 21 mijë e 536 vaksina dhe numri ka arritur në total në 100 mijë. Që prej fillimit të fushatës janë janë kryer në total 119 mijë e 321 vaksinime”, tha Fiço.

Shtuar 31.03.2021 02:03