Ish-kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD, ka nisur të flasë menjëherë me akuza ndaj kryeministrit Rama.
Berisha u shpreh se kur kryemisnistri vjedh, at’herë vjedhja kthehet në sistem.
Gjithashtu ai përmendi edhe portin e Durrësit, për të cilin tha se është një nga aferat korruptive më të mëdha në vend.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Sot Shqipëria po zien, Tirana po vlon, pakënaqësia dhe urrejtja ndaj këtij regjimi po bëhet gjithnjë më e papërmbajtur, gjithnjë e më e madhe. Kjo është plotësisht e ligjshme sepse çdo ditë e më e papërmbajtur bëhet makineria e vjedhjes dhe e plaçkitjes nga regjimi me në krye Edi Ramën i qytetarëve shqiptarë. Sot për fat të keq, institucionet e këtij shteti të mafies janë shndërruar në sera që përgatisin hajdutë zyrtarë. Kur e them këtë, e them jo për të injoruar se në administratën shtetërore ka edhe njerëz të ndershëm.
E vërteta është që në qindra firma në këtë administratë hidhen në dokumente, është e pamundur të gjesh një që është në përputhje me ligjin. Kjo ndodh sipas një ligji të njohur, kur kryeministri vjedh, vjedhja shndërrohet në system. Kur kryeministri del mbi ligjet, të tjerët me vrap i mbikalojnë ato. E transformuar në një makineri gjigande vjedhje dhe plaçkitje, asnjë mekanizëm zyrtar nuk mund ta ndalojë më këtë makineri. Vjedhja e pronës publike kulmon me aferat gjigande të portit të Durrësit dhe parkut të Butrintit. /albeu.com