Mbi 180 të arrestuar në Turqi, pas tërmetit që shkaktoi mijëra viktima

Më shumë se 600 njerëz po hetohen në Turqi për ndërtesat që u shembën nga tërmeti vdekjeprurës i 6 shkurtit.

Ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag tha se 184 të dyshuar, përfshirë kontraktorët e ndërtimit dhe pronarët e ndërtesave, ishin arrestuar tashmë, raportojnë mediat e huaja.

Për vite me radhë, ekspertët paralajmëruan se korrupsioni endemik dhe politikat e qeverisë nënkuptonin se shumë ndërtesa të reja ishin të pasigurta.

Numri i konfirmuar i vdekjeve në Turqi dhe Siri tani ka tejkaluar 50,000. Bozdag i bëri komentet nga Turqia juglindore, ku ra tërmeti me magnitudë 7.8 ballë.

Mes të arrestuarve është edhe një kryebashkiak i një prej qyteteve afër vendit ku goditën lëkundjet, raportojnë mediat turke.

Më shumë se 160,000 ndërtesa u shembën ose u dëmtuan rëndë në Turqi pas tërmeteve, duke ngritur pikëpyetje nëse ndikimi i fatkeqësisë natyrore u përkeqësua nga dështimet njerëzore.

Partitë e opozitës dhe disa ekspertë ndërtimi akuzojnë administratën e presidentit, Rexhep Tajip Erdogan për dështim në zbatimin e rregulloreve të ndërtimit.

Ata thonë se politikat e qeverisë kanë lejuar të ashtuquajturat amnisti për kontraktorët që shmangin rregulloret në ndërtimtari.


Shtuar 26.02.2023 18:09