Mbetet problematike gjendja e mbeturinave në Durrës e Kavajë, Xhaferaj: Strategji për të çuar mbetjet në Sharrë (VIDEO)

Vijon të jetë problematike situata në Durrës e Kavajë si pasojë e mbeturinave.

Në një deklaratë nga landfilli i Durrësit,  Ferdinand Xhaferri e ka konsideruar këtë plan mafioz, ndërsa ka akuzuar qeverinë për paftësi në menaxhimin e kësaj situate.

“U ngrit kjo krizë mjedisore për të justifikuar që qytetet e Durrësit dhe Kavajës  të çojnë mbetjet tek landfilli i Sharrës, tek landfilli i ortakëve të kryeministrit dhe ti cojnë mbetjet  me një vlerë të rritur, 30% më shumë , me 41 euro për ton,” shprehet Xhaferaj.

Ai shton se jaë në pritje që SPAK-u të veproje  përpara se situata të sjellë edhe më shumë rrezik për jetën e qytetarëve të Durrësit.

Deklarata e plotë:

Ka mbi 4 vite që vlon problematika e mbetjeve për qytetet e Durrësit dhe Kavajës dhe së fundmi i është vënë flaka jo në kuptimin figurativ, por sikurse e shikoni në kuptimin e drejtpërdrejtë  të saj. Ne kemi parë në qytetet e Durrësit dhe të Kavajës kazanë mbetjesh të tej mbushur gjatë  ditës dhe që digjen gjatë natës.

Pra sikurse shikohet, për qytetet e Durrësit dhe Kavajës situata e mbetjeve ka degraduar në një krizë mjedisore me shumë rrezik  për shëndetin e qytetarëve te Durrësit dhe të Kavajës. Kanë kaluar katër vite, nuk kemi të bëjmë më me paaftësi, është një rast, është një plan i mirëfilltë mafioz, është një sjellje prej nje organizate kriminale , sepse ashtu sikurse organizatat kriminale që kur duan të realizojnë objektivat e tyre rrezikojnë jetën e qytetarëve , shkojnë deri në vrasjen dhe ekzekutimin e qytetarëve , këtë punë po bën qeveria me krizën e  mbetjeve.

U ngrit kjo krizë mjedisore për të justifikuar që qytetet e Durrësit dhe Kavajës  të cojnë mbetjet tek landfilli i Sharrës, tek landfilli i ortakëve të kryeministrit dhe ti cojnë mbetjet  me një vlerë të rritur, 30% më shumë , me 41 euro për ton.

Një aferë e  pastër korruptive dhe pse?

Tre vite më parë erdhi kryeministri Rama këtu në Durrës, shkoi dhe në Porto Romano dhe Këshilli Bashkiak u mblodh me urgjencë dhe miratoi, shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore.

Nuk u bë asgjë! Dy vite më vonë në qershor të 2020, këshilli bashkiak u mblodh përsëri dhe shpalli për herë të dytë gjendjen e emergjencës mjedisore.

Këto ditë u orkestrua kriza mjedisore, u bë situata alarmante për Durrësin dhe Kavajën, e papërballueshme.

Dhe disa ditë më parë Këshilli Bashkiak u mblodh dhe vendosi që për 10 vitet e ardhshme mbetjet të shkojnë tek landfilli i Sharrës me një kosto prej 40 mijë euro për ton. Një vit më parë, në 2020 bazuar në vet strategjinë e qeverisë për trajtimin e mbetjeve për rajonin e Shqipërisë së mesme, tarifa ishte projektuar, kosto ishte projektuar 29 euro për ton.

Pra, sikurse duket qartë është një aferë e pastër korruptive. Partia Demokratike  e  ka denoncuar prej vitesh këtë aferë.

Ne jemi në pritje që SPAK-u të veproje  përpara se situata të degradoje me shumë rrezik për jetën e qytetarëve të Durrësit.


Shtuar 10.07.2021 19:54