Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur në samitin për Ukrainën që po mbahet në Pallatin e Kongreseve, ku u prit nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Në një prononcim për gazetarët, Osmani theksoi mbështetjen për Ukrainën, e cila ndodhet në luftë.
Ajo u pyet edhe për faktin se Ukraina nuk e njeh akoma Kosovën si shtet i pavarur, duke shtuar se është e bindur që ky moment do të vijë së bashku me fitoren e Ukrainës.
“Ka shumë rëndësi sepse do të kemi sepse si aleat në vlera të japim gjithë mbështetjen tonë për Ukrainën ashtu siç kemi bërë që nga dita e parë e invazionit të paprovokuar ilegal të Rusisë duke vendosur sanksione, duke mbështetur qytetarët dhe ushtrinë ukrainase. Do ta bëjmë edhe tani e tutje. Sot në samit do të flas për hapat konkretë që Kosova po merr në këtë drejtim së bashku me aleatë të tjerë. Do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës. Gjithnjë kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do ta bëjmë një kërkesë të tillë me mirëkuptimin e plotë që Ukrainë është në një gjendje të jashtëzakonshme lufte, për lirinë dhe pavarësinë e saj. Jam e bindur se ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, u shpreh Osmani.