“Mbaruan punë” me Durrësin, Dhërmiun dhe Vlorën, “Gimçja i Red Bullit” shpallet investitor strategjik në Korçë (Dokumenti)

Edhe pse deri më tani bëhet fjalë kryesisht për ndërtime kullash apo vilash në zonët më të preferuara të bregdetit shqiptar nga biznesmënë dhe oligarkë, qeveria vazhdon të zgjerojë listën e investitorëve strategjikë që pëtfitojnë tokë shtetërore falas të dhëna nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS).

Më i fundit në listën e të preferuarve është shpallur edhe Agim Zeqo që njihet ndryshe si “Gimçja i Red Bullit”. Ai ka qenë një ndër biznesmenët më të preferuar të Berishës, por duket se këtë privilegj po e ruan edhe me Ramën duke marrë “llokma’” nga prona publike për interesa të pastërta personale, në emër të turizmit.

Mësohet se qeveria i ka dhënë 10 mijë metër katrorë tokë shtetërore falas në qytetin e Korçës kompanisë “Investment and Development Albania”, e cila do të ndërtojë aty një resort turistik. Kjo kompani zotërohet nga biznesmenët Agim Zeqo, Gerian Kuka dhe Ilir Shtufi. Agim Zeqo është aksioneri i maxhorancës me 40 % të aksioneve, ndërsa dy ortakët e tjera kanë respektivisht nga 30 % të aksioneve.

Në vendimin e miratuar nga KIS thuhet se kompania “Investment and Development Albania” do të investojë mbi 18 milionë euro për ndërtimin e një strukture turistike elitare të quajtur “Green House Korça Resort”. Ky projekt përmban një hotel me 5 yje, me kapacitet total prej 94 dhomash, restorante, bare, SPA etj si dhe parashikon të punësojë 94 vetë në këtë resort. Sipas projektit, hoteli që do të ndërtohet do të menaxhohet nga brandi i njohur ndërkombëtar i hoteleve “Acor”.

Statusi “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar” i jepet projektit të investimit “Green House Korça Resort”, për një periudhë 4 vjeçare.

Projekti i investimit strategjik do të zhvillohet në Zonën Kadastrale 8561, nga ku sipërfaqja prej 10 mijë m², me numër pasurie 1/911, është pronë shtet, lloji i pasurisë “truall”, me vendndodhje në Bashkinë Korçë. Pasuria ka kaluar nën administrim të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me VKM më datën 19 maj të vitit 2021.

Qeveria është angazhuar që përveç tokës, të asistojë kompaninë edhe në kryerjen e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike. Po kështu, investimi përfiton asistencë nga shteti në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit. Ndërkohë që paralalelisht atij i mundësohet lidhja me rrjetin elektrik, atë të ujësjellësit si dhe kanalizimet e ujërave të ndotura.

Në vendimin e KIS thuhet se në rast se përgjatë zhvillimit dhe zbatimit të projektit strategjik “Green House Korça Resort” konstatohen të dhëna të pavërteta, të rreme apo ndryshime të të dhënave të dala rishtazi, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për miratimin e statusit strategjik të këtij projekti me procedurën e asistuar, Komiteti i Investimeve Strategjike ka të drejtë të revokojë vendimin për dhënien e statusit strategjik.

Përgjithësisht investimet strategjike të miratuara deri më tani kanë synuar kryesisht zonën e bregdetit. Nga lista duket se ky është investimi i parë strategjik, që miratohet për qytetin e Korçës./albeu.com


Shtuar 27.04.2023 14:25