Mbahet në Shkup samiti i Bërdo-Brioni, në fokus integrimi europian

Të hënën në Shkup mbahet samiti i radhës i Bërdo-Brionit, gjatë të cilit, sipas presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shtetet pjesëmarrëse “do të riafirmojnë angazhimin për forcimin e bashkëpunimit rajonal, zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe përparimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.

Në këtë takim, sipas kabinetit të presidentit maqedonas, marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; i Shqipërisë, Bajram Begaj; i Serbisë, Aleksandar Vuçiq; e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar; i Kroacisë Zoran Millanoviq, anëtarët e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq, Denis Beqiroviq dhe Zhelka Cvijanoviq dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

“Në fokus të takimit të sivjetshëm të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni në Shkup janë integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve”, thuhet në komunikatën e Presidencës maqedonase.

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Borut Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.

Qëllim i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.

Presidenti Pendarovski, të dielën, ka organizuar një darkë për presidentët e shteteve pjesëmarrëse me përjashtim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pjesëmarrjen e ka paralajmëruar për të hënën, ditën e mbajtjes së samitit.

Udhëheqësit e shteteve të procesit Bërdo-Brioni takohen të paktën një herë në vit.

Në samitin e vitit të kaluar, që u mbajt në Bërdo të Sllovenisë, pjesë e konkluzioneve të miratuara ishte thirrja drejtuar Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.

Vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024, ndërsa Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar./rel


Shtuar 11.09.2023 10:20