Mashtrimi me Call Center-at, SPAK çon për gjykim pesë persona

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka dërguar kërkesën për gjykim për procedimin penal nr.301, të vitit 2021, me të pandehur shtetasit Adrian Korriku, Irisa Puca, Merxhan Çeliku, Endri Bulku, Erlind Cekaj, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në formën e veçantë të bashkëpunim atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar si vepra penale nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/1, dhe 334/1, të Kodit Penal.

Ky procedim ka filluar mbi bazën e kërkesës për ndihmë juridike të autoriteteve spanjolle të drejtësisë, përkatësisht Gjykatës së Shkallës së Parë Nr. 2, La Seu d’Urgell (UPSD 2), në kuadër të çështjes penale Nr. 19/2018, për veprat penale “Mashtrimi”, dhe “Organizatë Kriminale”, parashikuar nga legjislacioni penal i Mbretërisë së Spanjës.

Mbi bazën e kësaj kërkese për ndihmë juridike, Prokuroria e Posaçme, regjistroi procedimin penal nr.301/2021. Pas regjistrimit të këtij procedimi penal, në koordinim me Eurojust, Shqipëria është bërë pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore, të krijuar në datë 27 Prill 2021, në përbërje të së cilës janë autoritetet gjyqësore të Spanjës, Gjermanisë, Suedisë, Finlandës, Letonisë, Ukrainës, Gjeorgjisë, Maqedoni e Veriut, etj.

Objekt i hetimit të përbashkët janë bërë një sërë kompanish të cilat kanë kryer aktivitetin e “call center”, duke kryer dhe mashtrimet online në platforma mashtruese të shtetasve europianë.

Këto kompani lokalizoheshin në disa shtete, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Gjeorgjia etj., të cilat drejtoheshin ose koordinoheshin nga “Milton Group”.

Në kuadër të grupit të përbashkët hetimor, me vendet pjesëmarrëse, në zbatim të një plani hetimor të mirëorganizuar, është përcaktuar ndarja e juridiksionit të ndjekjes penale për personat e përfshirë, si organizatorë të këtij aktiviteti kriminal, me qëllim optimizimin dhe efektivitetin e realizimit të ndjekjes penale.

Konkretisht nga autoritetet gjyqësore Spanjolle, në kushtet e ekzistencës së marrëveshjes së ekstradimit me Shqipërinë, rezultonte më me efektivitet ushtrimi i ndjekjes penale në Spanjë, për shtetasit shqiptarë të përfshirë në këtë akivitet kriminal, pasojat e të cilit kishin ardhur në Spanjë.

Nga autoritetet gjyqësore Gjermane, në kushtet e mungesës së marrëveshjes së ekstradimit me Shqipërinë, është vlerësuar më efektive ushtrimi i ndjekjes penale në Shqipëri, nga Prokuroria e Posaçme, për shtetasit shqiptarë të përfshirë në këtë akivitet kriminal, pasojat e të cilit kishin ardhur në Gjermani.

Në të njëjtën mënyrë është bërë ndarja për shtetet e tjera pjesëmarrëse në këtë Skuadër të Përbashkët Hetimore.

Në këtë kontekst, nga të dhënat hetimore të dërguara nga Autoritetet Gjyqësore Gjermane, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, administruar në fashikullin e procedimit penal, kanë rezultuar lidhje të shtetasve shqiptarë me Milton Group.

Milton Group ka organizuar veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik online, në mjaft shtete të Europës Perëndimore, duke përfshirë shtetet të cilët janë pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore.

Nga autoritetet gjermane është urdhëruar kontrolli i platformave mashtruese tregëtare “Absolut Global Markets”, “AurumPro” dhe “Finaxis”.

Megjithatë, sipas këtyre autoriteteve konsiderohet e sigurt se i njëjti grup kriminal është gjithashtu përgjegjës për shumë platforma të tjera tregëtare, kryesisht identike, duke përfshirë platformat “SNP Broker”, “CapitalMarketsBanc”, “FXNobel”, “Cryptokartal”, “Centrobanc”, “GoldmanBank” dhe “TopTradePro”. Kjo duket qartë nga hetimet financiare të kryera ndaj kompanive, si dhe nga vlerësimet e gjurmëve të ndryshme teknike, përfshirë IP me adresa identike.

Bazuar në provat teknike, ka rezultuar se grupi kriminal ka operuar me dhjetëra platforma mashtruese gjatë viteve të fundit.

Dëmet e shkaktuara në platformat “AurumPro”, “Fianxis” dhe “AGMarkets”, (me 67 kallzime penale në zyrën qëndrore kibernetike në Bavari), llogariten me një dëm të përgjithshëm prej 1.8 milionë Euro.

Në platformën CentroBanc, ka 35 kallzime penale, me një dëm total prej 1.7 milionë Euro. Për platformën CapitalMarketsBanc, ka 40 ankesa, me një dëm të konstatuar prej 1.6 milionë Euro.

Për platformën Cryptokartal ka 31 kallzime penale, me një dëm të përgjithshëm, prej 1 milionë Euro. Përveç Rajonit të Bavarisë ku janë këta të dëmtuar, edhe shumë prokurori të tjera publike në Gjermani kanë ankesa për të dëmtuar të tjerë në këto platforma, të cilat janë në pritje, kështu që dëmi i përgjithshëm supozohet të jetë shumë më i lartë.

Disa nga të dëmtuarit nga Rajonet e tjera federale tashmë janë regjistruar në platformat e tjera “Centrobanc”, “CapitalMarketsBanc” dhe “Cryptokartal”.

Në datat 08-09.11.2022, është finalizuar operacioni ndërkombëtar “FRIDA-REFOX”, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, me të gjitha vendet pjesëmarrëse, të koordinuar nga “EUROJUST” me seli në Hagë, Hollandë

Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, në Shqipëri janë kontrolluar qendrat e thirrjeve apo ambjente në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, të cilat gjatë periudhës hetimore kanë patur dhe ndryshime vendodhjesh, emërtimesh, por dhe bashkime me njëra tjetrën, për efekt të fshehjes nga organet ligjzbatuese.

Janë kryer 11 kontrolle qendrash thirrjeje dhe banesa, janë arrestuar/ndaluar 4 shtetas të dyshuar (2 nga SPAK dhe 2 në bazë të kërkimit ndërkombëtar), si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë (3 nga SPAK dhe 3 në bazë të kërkimit ndërkombëtar).

Janë sekuestruar rreth 300 pajisje kompjuterike, laptop, usb, hard disqe, prova të tjera dixhitale dhe dokumente të shumta, portofole kriptovalutash në vlerën afërisht 15.000 USD dhe cash 90.000 Euro, dokumente identifikimi të shtetasve lituanezë dhe gjeorgjianë, karta banke lituaneze etj.

Nga hetimet e përbashkëta me autoritetet gjyqësore gjermane, janë identifikuar personat që janë prapa platformave mashtruese ose punojnë për kompanitë që ofrojnë shërbime për platformat.

Gjatë vlerësimit të një serveri të siguruar në proces dhe provat e tjera të administruara, identifikohen plotësisht personat të cilët pa dyshim lidheshin me kompanine e IT “PumaTS/SMCompany”, të pandehurit Irisa PUCA, Endri BULKU, Erlind Cekaj dhe Adrian Korriku.

Gjithashtu, ka rezultuar se personi i pandehur Merxhan Çeliku, kishte komunikime të drejtpërdejta me viktimat e mashtrimit në Austri dhe Gjermani, nëpërmjet këtyre platformave.

Kjo është provuar plotësisht nëpërmjet adresave IP nga ku janë bërë komunikimet, si dhe lëvizjet e llogarive bankare dhe ato të valutave në modhedha virtuale, në të cilat kanë kaluar paratë e viktimave.

Në përfundim të hetimit është evidentuar në mënyrë të qartë ekzistenca e grupit të strukturuar kriminal, me përfshirje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, me qëllim mashtrimin financiar nëpërmjet ndërtimit të platformave të ndryshme dhe përdorimit të tyre, në dëm të personave me banim në Austri, Gjermani dhe vende të tjera evropiane.

Mashtrimi është kryer në dëm të disa personave dhe për këtë arsye vepra penale e mashtrimit kompjuterik është konsumuar për të gjithë të hetuarit, sipas rrethanës cilësuese të parashikuar nga paragrafi i dytë i nenit 143/b të Kodit Penal.

Nga analiza e elementëve të veprave penale të mësipërme, rezulton se, në rastin konkret të pandehurit Adrian Korriku, Irisa Puca, Merxhan Çeliku, Endri Bulku, Erlind Cekaj, kanë konsumuar tërësisht të gjitha elementët e figurës së veprave penale “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në dëm të disa personave, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të struktuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.

Në vijim të veprimeve hetimore, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore spanjolle janë gjendur dhe sekuestruar në posedim të shtetasit Amant Josifi (për të cilin jemi dakortësuar që ndjekjen penale ta ushtronin autoritetet spanjolle), subjekte tregtare të administruar nga ai, si dhe familjarëve të tij, llogari bankare me shumat monetare në total në vlerën prej 2 225 868.66 Euro dhe 2 844 936.37 lekë.

Nga hetimi rezulton se në këtë aktivitet të kundërligjshëm, janë të përfshirë edhe persona të tjerë shqiptarë dhe të huaj, për të cilët vazhdojnë hetimet në kuadër të procedimit penal të ndarë Nr.301/1 të vitit 2021, për të njëjtat vepra penale.


Shtuar 10.02.2024 10:06