Mashtrime nga 50 në 160 mijë euro, lirohet nga qelia ish-zyrtarja e lartë

Ka ndryshuar  masa e sigurisë për Vjola Sterjon, ish-drejtoreshën e Ministrisë së Turizmit, e cila u arrestua për mashtrim, në 27 Dhjetor të vitit 2022.

Sterjo ka kërkuar zëvendësim të masës së sigurimit nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.

Kërkesa është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës, e cila në datën 8 Mars ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë.

Gjykata ka zbutur masën e sigurisë ndaj saj nga arrest me burg në arrest shtëpie, me arsyetimin e nevojës për kujdestarinë e dy fëmijëve të saj të mitur dhe për shkak të gjendjesh shëndetësore.

Vjola Sterjo u arrestua në Dhjetor për veprën penale të “mashtrim me pasoja të rënda”. 39-vjeçarja ish-punonjësja në administratë u vu në pranga pasi arriti t’i marrë 344 mijë euro 4 bizneseve në Korçë dhe Pogradec.

Sterjo nuk ka pranuar akuzat, duke pretenduar se nuk ka mashtruar njeri.

Ajo mashtrojë bizneset duke shfrytëzuar pozitën e saj dhe njohjet në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për të dalë garant tek subjektet se do të fitonin projekte nga AZHBR-ja, me vlera financimi nga 1 milionë deri në 4 milionë euro.

Prokuroria e Korçës e hetoi gjatë Sterjon dhe bazuar në provat e deritanishme gjykata e la në masë arresti me burg. 39-vjeçarja u arrestua në Tiranë ku edhe jeton. Sipas dosjes që Report Tv e siguron, nga marsi i 2020-ës deri nëntorin e 2 viteve më parë, Viola Sterjo ka mundur të marrë në vlera të ndara monetare 344 mijë euro dhe 1 milion lekë./albeu.com/


Shtuar 11.03.2023 14:03