Ditën e sotme, Gjykata e Posaçme, ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për Laert Haxhiun. Masa e parë u la për atë që njihet si masakra e Lushnjes, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Masa e dytë mbi dëshminë e Artan Tafanit, që tregoi disa ngjarje të rënda kriminale, ku i përfshirë rezulton dhe Haxhiu.
Laert Haxhiu u ekstradua më 3 korrik nga Greqia drejt vendit tonë nën masa të rrepta sigurie. Haxhiu u arrestua në Greqi më 23 maj të vitit të kaluar.
Laert Haxhiu është i dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale si: “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Historia e përfshirjes së Laert Haxhiut në krime nisi pasi banda e Aldo Bares i dogji banesën dhe i vrau nipin familjes Haxhiu, kohë kur Laerti ishte vetëm 5-vjeç. Pas vrasjes së Bledarit nisi dhe saga e hakmarrjes mes dy familjeve.