Marrëdhëniet me ndërkombëtarët janë përmbysur për shkak të Ballukut/ Berisha: AKSHI, dosja familjare e Ramës, më 22 mars të ngremë zërin fuqishëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga Samiti i PPE në Bruksel, tha se marrëdhëniet me ndërkombëtarët janë përmbysur për shkak të dosjes së Belinda Ballukut.

Sipas tij, dosja AKSHI është dosja familjare e Edi Ramës dhe në këtë aspekt, theksoi kreu i PD, “Edi Rama është në rrethin e kuq dhe i pashpresë”.

“Çështja Belinda Balluku është çështja Rama. Marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe më shqiptarët të Edi Ramës janë përmbysur për shkak se dosja Balluku është dosja Rama. Dosja AKSHI është dosja familjare e Edi Ramës. Në këtë aspekt, Edi Rama është në rrethin e kuq dhe i pashpresë”, deklaroi Sali Berisha.

Ai bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e 22 marsit, duke theksuar se duhet të ngremë zërin fuqishëm. ‘Sytë dhe mendja e partnerëve tanë janë te qytetarët shqiptarë dhe te opozita’, tha ai.

“Natyrisht, sytë, mendjet e miqve tanë, partnerëve tanë në Evropë dhe në botë janë të drejtuar tek qytetarët shqiptarë, tek opozita shqiptare, qëndresa e tyre ndaj këtij regjimi, përpjekja e tyre për largimin e tyre.

Kështu që 22 marsi, këtu nga Brukseli shfrytëzoj rastin, nga ky moment historik siç ishte kremtimi i 50-vjetorit të PPE dhe samiti i liderëve kryesorë, kancelari Merz, Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian dhe liderë të tjerë të pranishëm, pra shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje shqiptarëve më 22 mars në kryengritjen tonë paqësorë të ngremë zërin fuqishëm, të ushtojë në Shqipëri dhe në Evropë dhe në botë zëri i protestës, zëri i kryengritësve paqësorë shqiptare”, deklaroi kreu i PD.

 


Shtuar 19.03.2026 10:35