Maqedoni e Veriut, përpjekje për zgjerimin e koalicionit qeveritar

Kryeministri i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev po përpiqet ta zgjerojë kabinetin qeveritar për të garantuar një shumicë të qëndrueshme parlamentare, pas largimit të Lëvizjes Besa nga qeveria. Vendin e kësaj të fundit, duket se është e gatshme ta zë partia Alternativa, por ajo kërkon një trajtim me dinjitet në kabinetin qeveritar, ndërsa ende nuk dihet oferta për të e Kryeminstrit Zaev dhe kërkesat lidhur me postet qeveritare të partisë shqiptare.

Përpjekjet e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev për të siguruar një shumicë më të qëndrueshme në parlament e shtyjnë atë t’i lërë të paktën një ministri dhe shumë më tepër vende drejtorësh të institucioneve dhe kompanive shtetërore një partie, e cila do ta garantonte qëndrueshmërinë parlamentare. Vetëm një javë pas bashkimit me nismën për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Zaev, partia Alternativa është e gatshme për të ndryshuar drejtimi, duke u bërë pjesë e koalicionit qeveritar. Drejtuesi e partisë social-demokrate dhe kryeministri Zaev i filluan të premten me kryetarin e Alternativës Afrim Gashi bisedimet për përfshirje në koalicionin qeveritar. Por, a do të pajtohet Alternativa me kushtet ose postet që i kishte Lëvizja Besa deri para disa ditësh kur vendosi të largohet nga Qeveria? Këtë nuk e thonë as zoti Gashi e as zoti Zaev. Në fakt, ky është vetëm fillimi i bisedimeve dhe sipas tyre, kjo çështje nuk është diskutuar. Të dyja partitë do të mblidhen me kryesitë e tyre në takime të veçanta të martën për të shqyrtuar hapat e ardhshëm.

Ndërkohë, Alternativa qysh tash duket se e ka problemin me BDI-në, pozitat dhe raportet brenda qeverisë.

“Ne nuk do të bëhemi pjesë e një qeverie, e cila tek ata që kujton që i ka partnerë do të gjejë pengues. Ne nuk do të jemi aty mishi i egër. Nëse dikush mendon se futet mishi i egër në qeveri, atëherë ju falemnderit, mund t’i vazhdojmë rrugëtimet të ndarë. Nëse ka koncept ideshë nga të gjithë duke filluar nga kryeministri dhe të gjitha partitë e tjera, se për shkak të momentumit politik ka nevojë për një parti politike siç është Alternativa, atëherë natyrisht ne kërkojmë garanci që do të jemi të trajtuar në mënyrë të barabartë dhe me dinjitet”, tha Afrim Gashi.

Zoran Zaev u shoqërua në takim nga Dimitar Kovaçevski, aktualisht zëvendës-ministër i Financave, për të cilin një pjesë e medias në Shkup ka njoftuar se mund ta marrë drejtimin e qeverisë pas largimit të pritshëm të zotit Zaev. Kryeministri vetë u shpreh se të martën do të thirret takimi i Këshillit Qendror të Lidhjes Social Demokrate, ku do të kërkojë që dorëheqja e tij të bëhet efektive. Ai njoftoi dorëheqjen më 31 tetor, vetëm pak orë pas humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet lokale.

“Tek Alternativa ekziston një ndarje logjike lidhur me pjesëmarrjen ose jo në qeveri. Edhe për mua është e logjikshme me që vetëm para një jave ishin në një lloj ofensive për ta rrëzuar qeverinë, përkatësisht BDI-në nga qeveria, siç shprehen ata vetë”, tha zoti Zaev, duke shtuar nga ana tjetër se përgjegjësia para shtetit e bën Alternativën të jetë e hapur ndaj sfidave dhe interesave të përgjithshme.

Partia e zotit Gashi ka katër ligjvënës në parlament. Bashkimi eventual i saj me shumicën do ta rriste numrin në 64 deputetë, duke i shtuar kësaj edhe një deputet të Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepin, i cili nuk mori pjesë në seancën e 14 nëntori për rrëzimin e qeverisë.

Ndërkohë, qëndrimi i Alternativës nuk është pritur mirë nga VMRO-DPMNE-ja e opozitës dhe nga Aleanca për Shqiptarët, me të cilën janë në koalicion që nga zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar.

Kryeministri Zaev dhe qeveria e tij kanë shpresa të mëdha se më 14 dhjetor Bashkimi Evropian do të caktojë datën për fillimin e bisedimeve, por rrethanat në Sofje nuk lënë përshtypje se kjo do të ndodh. Atje, sipas analistëve, nuk ka gjasa të formohet qeveria e re deri para kësaj date, ndërsa autoritetet aktuale vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar procesin ndaj fqinjit të tyre më të vogël.


Shtuar 20.11.2021 21:29