Manipulimi i shortit për Salianjin/ Bardhi: Akt i paprecedent, shembull i shëmtuar i drejtësisë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me ndryshimin e trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë që shqyrton dosjen e ish-deputetit të PD, Ervin Salianji.

Në reagimin e tij, Bardhi shkruan se ky është një akt i paprecedent dhe një shembulli më i shëmtuar sesi nuk mund të jetë kurrë drejtësia.

Bardhi thekson se pas një vendimi politik të Gjykatës së Apelit që burgosi Salianjin vetëm se është kundërshtar i regjimit të Edi Ramës, kushdo priste dhe pret drejtësi nga Gjykata e Lartë.

Bardhi tha se duke dënuar me forcë manipulimin në rastin konkret, ai apelon që gjyqtarët e ndershëm në Gjykatën e Lartë të mos pranojnë të përdoren politikisht, për të mbajtur gjallë një padrejtësi dhe për t’u keqpërdorur për hakmarrje politike ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës.

“Akti i paprecedent i ndryshimit të trupës gjykuese të zgjedhur me short në çështjen në Gjykatën e Lartë të kolegut Ervin Salianji, është shembulli më i shëmtuar sesi nuk mund të jetë kurrë drejtësia.

Pas një vendimi politik të Gjykatës së Apelit që burgosi Ervin Salianjin vetëm se është kundërshtar i regjimit të Edi Ramës, kushdo priste dhe pret drejtësi nga Gjykata e Lartë. Por deformimi i rezultateve të shortit përzgjedhës dhe ndryshimi i trupës brenda 24 orëve, pa dhënë asnjë shpjegim, është sinjal që paralajmëron vazhdimin e padrejtësisë.

Duke dënuar me forcë manipulimin në rastin konkret, apeloj që gjyqtarët e ndershëm në Gjykatën e Lartë të mos pranojnë të përdoren politikisht për të mbajtur gjallë një padrejtësi dhe për t’u keqpërdorur për hakmarrje politike ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës”, shkruan Bardhi.


Shtuar 27.01.2025 15:23