“Mandati do të dalë së shpejti”, Lapaj shpreson për një deputet tjetër pas rinumërimit në Fier

Drejtuesi i “Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit, në MCN TV, u shpreh se vota e diasporës u manipulua nga qeveria. Ai përmendi rastet e shpërdorimit të postës së DHL-së, siç ndodhi në Greqi. Ai u shpreh se beson se do të marrë edhe një mandat tjetër deputeti, pasi KAS vendosi që të rinumërohen kutitë në qarkun e Fierit.

“Diasporën e manipuloi ai (Rama) dhe ti do të thuash si dhe ku. Ne e prishëm votën e diasporës sot, le të harrojmë tani. Kjo është një fakt i pakundërshtueshëm, dhe prokuroria duhet të ndërhyjë. A dëshironi ju që prokuroria të veprojë? Le të vijë prokuroria dhe të marrë provat. Defterët e listave të votuesve dhe fletat mbi të cilat kanë firmosur personat që kanë marrë zarfat gjatë dorëzimit janë aty.

Siç e dini, janë përdorur edhe palë të treta. Në Greqi, kontrata e ndalonte këtë. Absolutisht, kontrata lejonte vetëm DHL dhe postieri i DHL-së që dorëzonte zarfat, kur vinte tek ju, duhet që ju ta firmosni praninë e marrjes së tyre. Tani prokuroria duhet të marrë të gjitha fletat e dorëzuesve dhe të verifikojë nëse firmat janë të tyre apo jo.

Sepse në shumë raste, firmat janë thjesht shkrime të paqarta, një zhgarravinë prej rreth dyqind rreshtash, që nuk duken si firma reale.

Ne po punojmë në këtë drejtim, sepse kam premtuar se do të vazhdojmë. A thashë që do të ndjekim çdo votë? Po, po ndjekim procesin në Vlorë dhe Fier. Është vendosur të hapet rinumërimi në Fier.

Mandati do të dalë së shpejti, unë nuk di saktësisht kur, por ne po luftojmë për çdo votë.

Sa i përket votave të diasporës, të jeni të bindur që do ta çojmë deri në fund dhe mos mendoni se do ta lëmë këtë çështje. Po ashtu, për defterët ka rreth dyqind rreshta që po i mbledhim si prova.

Shumë prej tyre janë vetëm shkrime të paqarta, që duhet të hetohen”- tha Lapaj.


Shtuar 9.06.2025 22:32