Manastirliu tregon arsyen pse Shqipëria nuk e pezulloi vaksinën AstraZeneca

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e pyetur se pse në vendin tonë nuk u pezullua vaksinimi i AstraZeneca, ka thënë se kishin besim te ekspertët që deklaruan se vaksina nuk ka efekte anësore.

E ftuar në emsionin “Log”, ajo ka thënë se vendosën që Shqipëria të renditet tek ato vende që u mbështetën te vendimet e OBSH-së dhe Agjencia e Barnave të Britanisë.

“Përgjatë një viti pandemie ne kemi vendosur, t’i besojmë ekspertëve dhe shkencës. Nuk duhet të lëkundet besimi te shkenca dhe ekspertët. Edhe kur patëm hezitime dhe disa vende Europiane morën vendime për të pezulluar për një kohë deri kur EMA të merrte një vendim, ne vendosëm të radhiteshim te ato vende që vijuan duke u mbështetur te OBSH dhe agjencia e barnave e Britanisë, e cila nuk çedoi në udhëzimet për të vijuar vaksinimin me AstraZeneca.

Këtë e bazuam gjithmonë edhe te vendimet e Komitetit tonë të Imunizimit. Nuk mendoj se duhet të kishte pezullim. Patjetër që krijohet nga një lloj konfuzioni dhe që mund të pasohet nga hezitimi dhe patjetër mund të cenohet nga informacione dhe lajme që vende të ndryshme, që gjysma e pezulluan dhe pjesa tjetër e vijoi. Vaksinimi nuk është i detyrueshëm. Mësuesit që kanë hezituar janë njoftuar me të gjitha informacionet. Nuk ka asnjë ngut, përveç një ngut të madh; të shpëtosh jetë, vetëm përmes vaksinimit. Vaksinimi ishte i garantuar nga OBSH” tha ajo.

Po nëse EMA do ta pezullonte?

“Nuk e mori qeveria vetë përsipër vendimin. Po pse Britania e Madhe nuk e ka serioze agjencinë? Ishte një vendim shumë i kujdesshëm, i rivlerësuar nga ekspertët tanë, nga profesorët tanë më të mirë të shëndetit publik. Ata kanë vlerësuar të gjitha aspektet në lidhje me vaksinën, rrethanat e ngjarjeve dhe gjithashtu kanë mbajtur lidhje me vendet e tjera dhe OBSH-në që nuk ka thënë në asnjë moment që duhet pezulluar” tha ajo. /abcnews