Manastirliu thirrje shqiptarëve: Vaksinimi anti-covid, aplikoni në portalin e-Albania!

Në qendrat shëndetësore ka nisur vaksinimi masiv i të moshuarve mbi 80 vjeç, paralelisht me vaksinimin e të moshuarve në qendrat e përqëndruara të vaksinimit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në qendrën shëndetësore nr. 4 në kryeqytet ku ka ritheksuar se është mjeku i familjes ai që bën lajmërimin e qytetarëve, duke respektuar fashat sipas grupmoshave.

“Është shumë e rëndësishme që të ndiqet radha. Dhe ju lutem shumë e them këtë për ju, por e them këtë për të gjithë mjekët e tjerë të familjes. Lajmërimet duhen bërë me shumë korrektesë dhe radha sipas moshës, duke filluar nga grupmosha më e lartë deri tek grupmosha tjetër. Duhet që të kemi kujdes në ruajtjen e fashave, në mënyrë që të gjithë të lajmërohen në kohë dhe të gjithë të kenë mundësi ta bëjnë vaksinën sa më shpejt”, theksoi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se është shumë e rëndësishme që të regjistrohen të gjitha kërkesat për vaksinim, që asnjë qytetar të mos mbetet pa u njoftuar dhe pa u vaksinuar.
“Në qendrat shëndetësore +80 vjeç, + 85 vjeç dhe tek Sheshi Skënderbej +70 vjeç dhe tek Arena rivaksinimet. Gjithashtu edhe në portalin e-Albania mund të regjistroheni për vaksinim. Por të gjithë qytetarët do të lajmërohen nga mjekët e familjes”, tha Manastirliu.

Në ditën e parë të vaksinimit masiv janë kryer 11,487 vaksinime dhe në total që nga fillimi janë kryer mbi 78 mijë vaksinime. Vaksinimi masiv po vijon në ditën e dytë të tij në qendra shëndetësore dhe pika vaksinimi të përqëndruara në të gjithë vendin.

Shtuar 29.03.2021 05:03