Manastirliu: Sputnik V rezultoi një vaksinë tejet efikase, presim 25 mijë doza të tjera

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Kuvend bëri me dije se objektivi i ri i qeverisë është arritja në 1 milionë vaksinime në vend.

Manastirliu theksoi se Shqipëria do të përfitojë edhe 25 mijë vaksina ruse, ndërsa u shpreh se Sputnik V ka rezultuar tejet efikase dhe është aprovuar për përdorim emergjent në 63 vende.

“Ne sot sjellim disa akte normative qoftë për sa i përket amendimit të marrëveshjes me distributorin e autorizuar të CoronaVac në Republikën e Turqisë për të rritur më tej sasinë e vaksinave të Sinovac për të pasur më shumë disponibilitet me vaksinat që administrohen në vend, për të vijuar me ritmet shumë të mira të vaksinimit. Pak ditë më parë mbërritën në Shqipëri 25 mijë doza të vaksinës Sputnik V, presim në muajit në vijim edhe 25 mijë doza të tjera për të plotësuar kontratën me Sputnik, një vaksinë tejet efikase sipas studimeve të fundit. Sipas Insitutit Gamalea efikasiteti pas dy dozave shkon deri në 97, 6 për qind. Vaksina ka marrë aprovimin për përdorim emergjent në 63 vende. Sot ka më shumë evidencë shkencore për efikasitetin e tyre. Ndaj çdo qytetari që heziton i them është e rëndësishme të dëgjoni autoritetet shëndetësore, sepse fakti që sot janë mbi 400 mijë gjysh e gjyshe duhet të na bëjë më të përgjegjshëm për rëndësinë që ka vaksinimi i shpejtë për të siguruar mbrojtjen nga virusi i rrezikshëm. Ne do të vijojmë të rrisim dispinobilitetin e vaksinave në vend me objektivin e ri për të arritur drejt 1 milionë vaksinimeve”, tha ministrja.


Shtuar 4.05.2021 11:30