Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se paketa e rezistencës sociale do të mbështesë shtresat më vunerabël të shoqërisë shqiptare.
Gjatë fjalës së saj në Parlament, Manastirliu ka deklaruar se në këto kohë të krizave globale, qeveria shqiptare është treguar e palëkundur për të mbajtur të gjitha zotimet e premtuara para qytetarëve.
Manastirliu nënvizoi se pavarësisht pandemisë COVID19 më cilën sistemi shëndetësor u përball, profesionistët e shëndetit u mbështetën me rritje pagash +40%, ndërsa rritja do të vijojë edhe me 6% nga muaji korrik i këtij viti.
“Në këto kohë të mbushura me kriza globale dhe me ngjarje jashtë kontrollit ndonjëherë edhe të njeriut, ne nuk jemi lëkundur për asnjë çast në përmbushjen e detyrimeve që na takojnë dhe zotimeve që kemi marrë përsiper përballë njerëzve. Kjo qeveri ka qëndruar dhe do të vazhdojë t’i qëndrojë çdo angazhimi të ndërmarrë për mbështetjen e tyre. Është fakt se qeveria ka pasur dhe ka në prioritetet e saj politikën e rritjes së pagave, për këtë kategori profesionistësh. U zotuam për rritjen e pagave dhe vetëm një vit më parë dhe po i referohem, vetëm 2021 pasi i referohem vitit të vështirë të pandemisë, në janar 2021 ne rritëm 40% pagat për personelin shëndetësor. Me buxhetin e këtij viti duke filluar nga korriku pagat për personelin shëndetësor do të rriten sërish me 6% duke mbajtur kështu zotimin tonë”, tha Manastirliu.
Duke folur për paketën e rezistencës sociale, ministrja tha se 576 mijë qytetarë do të mbështeten nga kjo paketë.
“Paketa e Rezistencës mbështet 576 mijë qytetarë të këtij vendi të cilët për tre muajt e ardhshëm do të kompesohen për rritjen e çmimeve të shportës bazë të shkaktuar prej rritjes të çmimeve në tregjet ndërkombëtarë duke filluar nga muaji prill. Kjo paketë mbështet grupet më vulnerabël dhe që preken më shumë e që përfshihen këtu pensionistë që përfitojnë më pak se paga minimale, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuara, paraplegjikët, tetraplegjikët, të verbrit, invalidët e punës si dhe të gjitha familjet që përfitojnë nga mbështetja e programit të ndihmës ekonomike. Janë 64 mijë familjet përfituese që do të mbështeten nga kjo paketë duke u mbështetur direkt për 3 muaj me 3 mijë lekë në muaj si efekt i inflacionit të llogaritur nga INSTAT për impaktin e produkteve bazë të çmimeve të shportës”, deklaroi Manastirliu.
Manastirliu u shpreh se me buxhetin e 2022 paketa e Ndihmës Ekonomike është trefishuar për fëmijët pa kujdes prindëror, është dyfishuar për familjet me mbi 3 fëmijët dhe rritur me 10% për të gjithë familjet përfituese të kësaj skeme.
“Mos harrojmë që buxheti 2022 duke filluar nga janari i këtij viti është rritur sa i përket programit të ndihmës ekonomike me 1.5 miliard lekë dhe përkatësisht kemi rritur me dy herë masën e Ndihmës Ekonomike për familjet përfituese të kësaj skeme të cilët kanë mbi tre fëmijë, kemi trefishuar masën e ndihmës ekonomike nga Janari i këtij viti për fëmijët pa kujdes prindëror, kemi rritur për familjet e tjera masën e ndihmës ekonomike me 10%”, theksoi Manastirliu
Paketa e rezistencës sociale mbështet 576 mijë qyetetarë, të cilët për tre muajt e ardhshëm do të kompensohen për rritjen e çmimit për produktet e shportës. Qeveria ka vendosur që për 3 muajt e ardhshëm një paketë ndihme prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj për 3 muaj radhazi për mbështetjen për rritjen e çmimeve të shportës. 202 mijë pensionistë që do përfitojnë, mbi 52 mijë persona me aftësi të kufizuar, mbi 6 mijë e 100 individë paraplegjik dhe tetraplegjik, mbi 12 mijë të verbër dhe mbi 64 mijë familjet që përfitojnë nga paketa e ndihmës ekonomike. Qeveria ka vendosur të indeksojnë në masën menjëherë pesnionet në masën 33 milion dollarë e cila do të reflektohet menjëherë në pensionin e radhës për 673 mijë pensionistë.