Manastirliu: Gushti, muaji i hapur për vaksinimin masiv për qytetarët mbi 18 vjeç

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga Qendra Shëndetësore nr.1 në Tiranë, ku ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit, tha se vaksimimi masiv do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç.

“Ne kemi vendosur që muaji gusht të jetë një muaj i hapur për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqëndruar. Do të jetë një muaj që ne do ta konsiderojmë muaj sulmi, për të vaksinuar qytetarët e grupmoshës +18 vjeç”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja gjithashtu bëri apel për studentët të vaksinohen para nisjes së shkollës.

“Eshtë e rëndësishme një thirrje për studentët, për t’u vaksinuar sepse shtatori, tetori, fillimi i shkollës sigurisht që do të na përballë me rritjen e kontakteve, me ato grumbullime të cilat ndonjëherë janë të pashmangshme, por nëse jemi të vaksinaur të paktën kemi të garantuar që shmangim komplikacionet dhe format e rënda të sëmundjes dhe sigurisht edhe fatalitetet”, tha Manastirliu./albeu.com


Shtuar 29.07.2021 15:42