Rama-Manastirliu në QSUT ndajnë lajmin: Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme drejt përfundimit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektuan pasditen e sotme Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT.

Ata lajmëruan se spitali i ri do të jetë me kapacitet 350 shtretër të rinj, i cili do të ngrejë nivelin e shërbimit shëndetësor publik me standarde europiane.

Sipas tyre, ky do të jetë investimi më i madh i këtyre tre dekadave në shëndetësi.

“Jemi drejt përfundimit të investimit në këtë spital të ri të sëmundjeve të brendshme. Rrisim kapacitetet për urgjencën, interventet e hemodinamikës por edhe cilësinë e shërbimeve, duke përfshirë ndërhyrje inovatore në shërbimin e kardiologjisë. Spitali i ri do të zgjerojë edhe kapacitetet e shërbimit të Reanimacionit të Kardiologjisë me standardet më të mira”, tha Manastirliu.

Investimi i ri parashikon edhe hapjen për herë të parë të një spitali ditor.

“Me hapjen e spitalit të ri, ku do të transferohet shërbimi i urgjencës, do të kemi mundësi të hapim një spital të ri ditor me 60 shtretër, ku do të jetë edhe shërbimi i dializës”, tha Manastirliu.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT, dhe së bashku me shërbimet ekzistuese, ato të gastrohepatologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë, dializës, njësisë së kardiologjisë, hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.

Spitali i ri do të ketë edhe një spital ditor me 60 shtretër, për rritjen e eficiencës së shërbimeve.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ketë 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë, ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.