Makina e braktisur me kallashnikov e municione, brenda saj zbulohet ADN e një shqiptari të skeduar për grabitje

Zbulimi i një automjeti të braktisur në Palio Faliro të Athinës, brenda së cilit u gjet armë dhe municion, ka alarmuar policinë greke. Ngjarja ndodhi të premten, ku brenda mjetit u gjet 1 armë zjarri tip kallashnikov, 1 granatë dore, karikatorë, një bidon benzinë dhe një kokore.

Sipas të njëjtave informacione, automjeti ishte me targa false dhe makina rezulton e denoncuar e vjedhur më 14 shtator, në Drejtorinë e Policisë Nea Ionia. Nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja lidhet me një shtetas shqiptar, 39 vjeç, të skeduar për grabitje. Ai rezulton i arrestuar në Patra në 2009 dhe në Athinë në 2019, por tashmë është i lirë. Objekt i sulmeve të tij kanë qenë pikat ELTA dhe bankomatet.

Kjo thuhet se ka dalë nga analizimi i gjurmëve të gishtërinjve dhe ADN-së nga Drejtoria e Laboratorëve të Mjekësisë Ligjore. Megjithatë, ka ende shumë pikëpyetje për shënjestrën e shqiptarit, nëse bëhej fjalë për atentat apo për grabitje.


Shtuar 29.11.2023 11:31