Një mrekulli shpëtoi 2 fëmijë të mitur 6 dhe 11 vjeç nga çmenduria e babait të tyre që mund të kishte përfunduar në tragjedi. Në prani të tyre, 40-vjeçari lezhjan Aleks Marku prej orësh të tëra, nga 2:30 pas mesnate e deri rreth orës 07:00 të mëngjesit kur u dorëzua në duart e forcave RENEA, qëlloi me kallashnikov brenda një apartamenti të marrë me qira në zonën e plazhit në Durrës.
18 gëzhoja u gjetën brenda apartamentit në kat të parë, 2 prej të cilave, siç shihet në pamje, janë gjetur në dhomën e gjumit.
Të terrorizuar fëmijët i kanë kërkuar të ndalojë dhe t’i dorëzohet policisë e cila rrethoi zonën pas telefonatës nga banorët përreth të cilët dëgjuan të shtënat dhe britmat e djemve.
Në një video të publikuar nga Top Channel dëgjohet djali 11-vjeçar i cili tenton ta qetësojë të atin dhe t’i marrë armën.
“O babi të lutem, ma jep mua automatikun, më beso, jam unë. Më thuaj po apo jo”, dëgjohet vogëlushi duke biseduar të artin, teksa ndodhej në ballkonin e banesës.
Kjo tentativë është bërë në orët e para të mëngjesit, kur 40-vjeçari nisi të qëllojë me armë brenda dhe jashtë banesës që kishte marrë me qira në Durrës. Më pas kanë mbërritur forcat RENEA që kanë bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin e tij.
Gjatë operacionit të policisë nën thirrjet e negociatorit të RENEA-s 40-vjeçari del nga apartamenti ku kishte tmerruar fëmijët, i jep dorën efektivit, dhe nuk ndal së piri një cigare, teksa shfaqet pa bluzë. Disa thirrjeve të policisë për dorëzim, burri iu përgjigj me armë./albeu.com