Luljeta Bozo pendohet për deklaratën për Enver Hoxhën: E dënoj me forcë

Kandidatja e PS për deputete në Tiranë, inxhinierja Luljeta Bozo e filloi me këmbën e gabuar pasi u vë në qendër të kritikave shumë shpejt lidhur me një deklaratë për Enver Hoxhën dhe sistemin komunist.

E pyetur se çfarë dëmesh i ka shkaktuar Enver Hoxha dhe figura e tij kombit shqiptar në emisionin “Dekalog” ajo tha se po t’i vësh në balancë, ka më shumë anë pozitive sesa negative.

Lidhur me këtë, Bozo ka reaguar sërish për media duke u shprehur se fjalët i janë shtrembëruar.

“Unë kam një jetë të jetuar me parimet e me punën time dhe bindjet e mia as nuk i kam negociuar, as kam ndërmend t’i negocioj në këtë moshë me askënd! Për më tepër nuk kam ndërmend të merrem me ata që merren me shtrembërimin e fjalëve te mia, për qëllime të rëndomta politike. Diktaturën komuniste e dënoj me forcë dhe Enver Hoxha padyshim ishte një diktator. Por refuzimi i çdo relativizimi të krimeve të diktaturës, nuk më pengon dot të vlerësoj me respekt shkencëtarët dhe profesionistët e asaj kohe dhe gjithë popullin e thjeshtë që kanë punuar me ndershmëri. Pafuqia për të mos e parë atë kohë vetëm bardhezi është sindromë e sërvilëve apo spiunëve të atëhershëm, që janë “xhelatët” e mendimit ndryshe të këtyre 30 vjeteve. Kush kapet pas Enverit për të sulmuar të tjerët është në fakt një zëdhënës i pavetëdijshëm i së keqes së asaj diktature. Ata që shajnë, akuzojnë dhe shtrembërojnë njësoj si xhelatët e mendimit ndryshe asokohe. Ekstremet përputhen dhe më kujtohet Vaclav Haveli që thotë: Komunisti më i zi është komunisti antikomunist! Kam vetëm keqardhje per ta.”-është shprehur ajo.

 


Shtuar 20.03.2021 11:35