I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Breaking’ në Top Neës ka qenë avokati Spartak Ngjela.
Ai ka komentuar situatën lidhur me ngjarjet më të fundit nga gjeopolitika, teksa kryefjalë e bisedës ka qenë lufta Ukrainë-Rusi.
Në fjalën e tij, Ngjela ka thënë se tashmë nuk flitet më për interesa kombëtare, por e gjithë çështja është kthyer në interes personal të Vladimir Putin.
“Këtu nuk ka më interesa kombëtare, është interesi i Putinit. Të gjithë ekspertët që kam ndjekur janë shprehur se Putin ka shthurje mendore dhe sipas tyre kjo është shumë e rrezikshme.
Ukraina është shtet i vogël, dhe është e fortë, është e armatosur dhe e njohur me luftën. Ukraina ka patur fabrikë raketash dhe është e mësuar me luftën”, tha Ngjela.
Ndërkohë duke e paralelizuar me situatën në rajon, Ngjela ka thënë se kjo është një situatë në favor të Shqipërisë dhe tashmë sipas tij është mirë të nis krijimi i një federate me të gjithë territoret shqiptare të mbetura jashtë kufirit.
“Ne e kemi luftën në favor sepse SHBA pyesin ose do e paranojë Kosovën në NATO ose do e bashkojmë me Shqipërinë. E kemi në interesin tonë sepse Vuçiç është bërë si pulë. Shqiptarët duhet t ë mendojmë për një federatë tashmë”, shtoi Ngjela.
Ndër të tjera analisti dhe njëherësh avokati Ngjela ka parashikuar edhe fundin e Vladimir Putin në këtë luftë që ka nisur.
“Putini ose do iki, ose do e rrëzojë ose do e vrasin. Kjo është lojë e politikës amerikane, sepse ata kanë qenë shumë të qetë në reagimet e tyre gjatë gjithë kësaj kohe.”- shtoi gjithashtu Spartak Ngjela./ Gazeta Shqip