Lufta në Ukrainë, Trump: Mund ta sjell paqen brenda një dite

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se mund t’i japë fund luftës së Putinit në Ukrainë brenda 24 orëve .

Siç raporton gazeta amerikane “Neë York Post”, miliarderi amerikan mund të arrijë brenda një dite atë që Perëndimi nuk mundi përmes negociatave të përsëritura me të dyja palët: të frenojë armiqësitë që kanë nisur që nga 24 shkurti 2022 me iniciativë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Gjatë një interviste për Fox News 76-vjeçari Trump pohoi se nëse lufta në Ukrainë nuk ka përfunduar deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe nëse ai do të rizgjedhej president ai mund të arrijë në një ditë marrveshjen e paqes.

Ai pretendoi se negociatat mes tij, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderit rus Vladimir Putin do të ishin “të lehta”.

“Nëse nuk gjendet një zgjidhje për luftën (deri në zgjedhjet e 2024), unë do të gjej një zgjidhje për çështjen e luftës.Brenda 24 orëve së bashku me Zelenskyn dhe Putinin, dhe unë mund të bëj një negociatë shumë të lehtë, por nuk dua t’ju them se për çfarë bëhet fjalë sepse atëherë nuk do të mund ta përdor. Unë do të mund të sjell paqen brenda një dite” , përsëriti ai.

Trump theksoi gjithashtu se, në kohën kur mbahen zgjedhjet presidenciale në SHBA, “lufta në Ukrainë mund të përkeqësohet shumë”./albeu.com/


Shtuar 28.03.2023 10:58