“Lufta në Ukrainë do të përshpejtojë zhvendosjen e gjeopolitikës nga Perëndimi në Lindje”

The Economist

Nëse armiku i armikut tim është miku im, a është armiku i mikut tim edhe armiku im?

Jo domosdoshmërisht. Ose kështu mendon Kina kur bëhet fjalë për luftën e furishme ruso-ukrainase.

Nga njëra anë Kina është partneri strategjik i Rusisë. Nga ana tjetër, Kina është partneri më i madh tregtar i Ukrainës. Prandaj, Pekini po përpiqet me përpikëri të vendosë një ekuilibër në përgjigjet e tij ndaj luftës midis dy miqve të saj.

Kina ka shprehur mirëkuptimin e “shqetësimeve legjitime” të Rusisë për zgjerimin e NATO-s, ndërsa nënvizon se “sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet”.

Një neutralitet i tillë i kalibruar me kujdes mund të mos jetë ajo që duan realisht palët ndërluftuese, por është e pranueshme për të dyja. Nëse Kina bashkohet me Perëndimin në dënimin e Rusisë, veprimi i saj do të vlerësohet në Uashington dhe në shumicën e kryeqyteteve europiane.

Por ajo do të humbasë partneritetin e Rusisë. Dhe është vetëm çështje kohe para se Amerika të përballet sërish me Kinën.

Politika e administratës së Bidenit ndaj vendit tim përfshin një “konkurrencë ekstreme” që ka filluar pak para luftës.

Natyrisht, konflikti në Ukrainë i ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme interesave kineze, duke përfshirë nismën e saj “Një brez dhe një rrugë” në Europë. Por Pekini simpatizon pretendimin e Moskës se shkaku kryesor i konfliktit është zgjerimi i paepur i NATO-s drejt lindjes pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Të gjithë liderët rusë që nga Mikhail Gorbachev kanë paralajmëruar për pasojat e një zgjerimi të tillë. Rusia mendon se nuk mund t’i lejojë vëllezërit e saj ukrainas të largohen nga Russkiy mir – bota ruse -për t’u bashkuar me një aleancë tjetër.

Nëse NATO-ja i duket Rusisë si përbindëshi i Frankenshtajnit, Vladimir Putin ndoshta beson se duhet ta vrasë krijesën.

E ardhmja e Europës nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Lufta gjithëpërfshirëse e Putinit kundër Ukrainës ka dështuar. Pikërisht për këtë, ai do të luftojë derisa të mund të shpallë një lloj “fitoreje”.

Me sa duket kjo do të përfshijë faktin se Ukraina duhet të pranojë se Krimea është pjesë e Rusisë, premtimin e saj për të mos u anëtarësuar në NATO dhe pavarësinë e dy “republikave” të Donetskut dhe Luhanskut.

Sfida e vërtetë është nëse trupat ruse janë në gjendje të kontrollojnë Donbasin pasi ta kenë kanë pushtuar atë.

Ekziston mundësia që lufta të zgjatet dhe diçka e tillë nuk duket e pashmangshme.

Situata ka ngjashmëri me atë në Afganistan gjatë luftës së Rusisë në vitet 1980. Një aleancë e udhëhequr nga Amerika dërgoi armë të pafundme për muxhahidinët të cilët arritën të mposhtin forcat sovjetikë.

Falë krizës, një NATO e “vjetëruar” është ringjallur. Në shkurt, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, krijoi një fond të posaçëm prej 100 miliardë eurosh për mbrojtjen dhe njoftoi se vendi i tij do të shpenzonte 2% të PBB-së së tij për mbrojtjen çdo vit.

Ajo do të forcojë aleancën dhe do të forcojë idenë e “autonomisë strategjike” europiane (pak më shumë se një slogan francez deri tani). Ironia është se sa më shumë të rritet popullariteti i NATO-s, aq më e pasigurt do të jetë Europa.

Nëse Finlanda i bashkohet NATO-s, Kremlini ka paralajmëruar se një veprim i tillë do t’i jepte fund “statusit jo-bërthamor të Detit Baltik”. Ky mund të jetë një bllof.

Por kush e di?

Nëse frika më e keqe e NATO-s është se Rusia mund të nisë një sulm bërthamor, atëherë pse të vazhdojmë të nxisim Putinin?

Siguria e Europës, tani si në të kaluarën, mund të arrihet vetëm me bashkëpunimin e Rusisë. Gjatë muajve të fundit, janë shtuar spekulimet se partneriteti “i pakufizuar” i Pekinit dhe Moskës – i shpallur gjatë vizitës së Putinit në Kinë në shkurt për Lojërat Olimpike Dimërore  mund të sjellë formimin e një aleancë ushtarake. Por lufta në Ukrainë ka vërtetuar pa dashje se afrimi i Pekinit dhe Moskës nuk është një aleancë.

Kina nuk i ofroi ndihmë ushtarake Rusisë. Në vend të kësaj, ajo ofroi ndihma humanitare dhe para për Ukrainën dy herë dhe është zotuar se do të  vazhdojë të “luajë një rol konstruktiv”. Një arsye tjetër është se krijimi i një aleance mes dy vendeve lejon një fleksibilit midis dy partnerëve.

Dhe përkundër faktit që Kina dhe Rusia po bëjnë thirrje për një botë shumëpolare, do të ishte më mirë që vendet të mos formonin  një aleancë sepse ata e shohin botën ndryshe. Rusia e Putinit është nostalgjike për kulmin e Perandorisë Sovjetike dhe e sheh veten si viktimë e rendit ndërkombëtar ekzistues.

Në të kundërt, Kina është përfituesi më i madh i rregullave dhe rregulloreve të tregtisë dhe financave globale të bëra nga Perëndimi pas Luftës së Dytë Botërore.

Kina luan një rol të madh në ruajtjen e rendit ekzistues ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse, pavarësisht dallimeve ideologjike dhe madje edhe tensioneve ndonjëherë, Kina ka mbajtur të paktën lidhje të forta ekonomike me Perëndimin. Asnjëra palë nuk dëshiron që diçka e tillë të ndryshojë.

Se si Amerika mund të fokusohet njëkohësisht në dy raste – Indo-Paqësorin dhe luftën në Europë mbetet për t’u parë. Joe Biden kishte shpresuar ta vendoste politikën e Rusisë në një bazë “të qëndrueshme dhe të parashikueshme” në mënyrë që të fokusohej në strategjinë e Amerikës në Indo-Paqësor.

Lufta në Ukrainë padyshim që do të shkëpusë vëmendjen e Amerikës. Pyetja është se për sa kohë Biden do të lejojë që Ukraina ta “shpërqëndrojë”. Në një rajon ku Kina është partneri më i madh tregtar i shumicës së vendeve, edhe aleatët më të mëdhenj të Amerikës nuk do të dëshironin të sakrifikonin marrëdhëniet e tyre me Kinën për të mirën e Amerikës.

A është lufta Rusi-Ukrainë një pikë kthese që paralajmëron ndryshimin e rendit global?

Kur kryeministri i Kinës Zhou Enlai u pyet se çfarë mendonte për Revolucionin Francez të vitit 1789, tha se ishte shumë herët për të dhënë një deklaratë. Por ndoshta nuk është shumë herët të thuhet se lufta në Ukrainë do të përshpejtojë zhvendosjen gjeopolitike dhe ekonomike nga Perëndimi në Lindje.

Qëndrimi i Kinës ka rëndësi edhe më të madhe, dhe ajo duhet të shërbejë si një stabilizues.

Koloneli i lartë Zhou Bo është një oficer në pension i Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe një anëtar i lartë në Qendrën për Sigurinë dhe Strategjinë Ndërkombëtare në Universitetin Tsinghua, Pekin dhe një ekspert i Forumit të Kinës.

/abcnews.al


Shtuar 10.05.2022 14:30