Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) ka njoftuar se po mbyll përfundimisht bashkëpunimin e saj me Rusinë në misionin ExoMars , të cilin e kishte pezulluar për disa muaj pas pushtimit të Ukrainës, duke shkaktuar një reagim të zemëruar nga agjencia ruse hapësinore.
Të martën pasdite, drejtori i ESA Josef Asbacher njoftoi në një postim në Twitter se ai ishte udhëzuar nga bordi që të “përfundojë zyrtarisht” partneritetin me Roscosmos në misionin ExoMars. “ Kushtet që çuan në pezullimin e këtij bashkëpunimi – lufta në Ukrainë dhe sanksionet që pasuan, ende ekzistojnë ”, shpjegoi ai.
Më 17 mars, ESA (e cila ka 22 shtete anëtare evropiane) kishte njoftuar pezullimin e misionit të një automjeti robotik në planetin Mars, të cilin e kishte planifikuar për vjeshtën e vitit 2022 në bashkëpunim me agjencinë ruse të hapësirës.
Duke denoncuar “sabotimin”, shefi i Roscosmos Dmitry Rogozin u ka kërkuar kozmonautëve rusë në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) që të “ndalojnë punën” me krahun robotik të sapo instaluar të ESA-s.
Krahu teleskopik robotik ERA u transferua në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në korrik 2021, por u instalua disa muaj më parë jashtë modulit rus të ISS. Është 11 metra i gjatë dhe lejon kryerjen e punëve të mirëmbajtjes ose shtimin e pajisjeve, kryesisht në seksionin rus, dhe mund të trajtohet si nga brenda ashtu edhe jashtë stacionit.
Drejtori i Agjencisë Evropiane të Hapësirës foli kohët e fundit për “konsultime intensive” me NASA-n me synimin për të krijuar një “partneritet të mirë” me të për të shpëtuar misionin ExoMars. Automjeti robotik i misionit synon të shpojë thellë në tokën e planetit të kuq, duke kërkuar për gjurmë të jetës jashtëtokësore.