Lorenc Vangjeli: Po t’i jepnin vizë Berishës, do shkonte me not në Amerikë

Analisti Lorenc Vangjeli deklaroi në studion e ABC Live me gazetaren Juli Xhokaxhi se ish-kryeministri Sali Berisha do kishte ëndërruar ta bënte në kushte të tjera “Foltoren” e një dite më parë, ku u mblodh virtualisht me mbështetësit e tij në SHBA.

Vangjeli u shpreh se nëse do të lejohej të shkonte matanë oqeanit do kishte tentuar të shkonte edhe me not. Ai theksoi se mbështetësit që u panë në Foltore nuk janë individë që në kushte të tjera do kishin votuar për Berishën, por një pjesë e tyre janë të lodhur nga opozita e gjatë e Bashës.

“Zoti Berisha bëri me foltoren e tij të radhës, atë që do donte ta bënte ndryshe. Nëse do ta lejonin të shkonte edhe me not. Nuk mundej. Mund të pluskonte në Dhërmi për orë të tëra por nuk mund të shkonte dot andej.

Në këtë lloj revanshi të Berishës, përkrahësit e tij nuk janë njerëz që do votonin për Berishën por ajo masë demokratësh të frustruar nga opozitarizmi i tejzgjatur i Lulzim Bashës. Po t’i jepnin vizë do e kalonte Atlantikun me not. E para është e dukshme, revanshi i zotit Berisha që nuk tregon forcën e tij por dobësinë e palës tjetër. Tregon mosmiratim për zotin Basha”, tha Vangjeli.

Sipas Vangjelit, Berisha po krijon një valë anti-amerikane në Shqipëri duke bvërë bashkë individë që dëshmojnë një segment të rrezikshëm të shoqërisë shqiptare.

“Problemi i dytë është se çështja e zotit Berisha ka krijuar një valë anti-amerikanizmi në rritje në Shqipëri. Lloj lloj njerëzish anarkistë, sovranistë të rigjetur, njerëz të parealizuar në të gjitha rrethanat.

Një gamë personazhësh që për herë të parë në këto 30 vjet po dëshmojnë një segment të rrezikshëm të shoqërisë shqiptare. Berisha sa më shumë tenton të shkojë drejt Amerikës, aq më shumë po shkon drejt lindjes. Korrupsioni i bën politikanët vulnerabël dhe do ishin të gatshëm të ndryshonin edhe orientimin gjeo-strategjik të vendit. Sot ne jemi duke u operuar në pikën më kritike të ekzistencës tonë”, u shpreh ai./Abcnews.al


Shtuar 6.12.2021 12:44