Duke komentuar përplasjet mes ambasadores Yuri Kim dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar se brenda dy javëve sipas tij mund të ketë persona të tjerë të shpallur non grata nga SHBA.
“Në harkun e një ose 2 javëve mund të kemi persona të tjerë non grata”, tha Vangjeli në studion e emisionit “Log.” në Abc.
Analisti u shpreh në emisionin Log se ambasadorët e SHBA-ve kanë pasur marrëdhënie të frakturuara me Berishën.
Yuri Kim u rikthye sërish në Kryesinë e Kuvendit paraditën e të martës. Edhe pse do takonte një funksionar të Partisë Demokratike, vendtakimi i diplomates amerikane ishte përcaktuar të ishin zyrat e Kuvendit të Shqipërisë dhe jo selia e Partisë Demokratike që prej 25 marsit drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit. Kim u ngjit në zyrën e Enkelejd Alibeajt, i cili për Sali Berishën dhe bashkëpunëtorët e tij është thjesht kreu i grupit parlamentar, por për SHBA, titullari më i lartë i PD.