Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë në Kukës, pasi janë kapur me një sasi lënde narkotike dhe para.
Bëhet fjalë se janë sekuestruar 20 kilogram Cannabis dhe 1 mijë euro.
Lajmin e bëri të ditur vetë policia përmes një njoftimi.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Long way”.
Operacioni, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe me Prokurorinë Kukës.
Arrestohen në flagrancë 5 shtetas.
Sekuestrohen 20 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1.250 euro, 1 automjet dhe 10 telefona.
Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të procedimit penal të nisur disa ditë më parë, kanë organizuar punën dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Long way”.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
D. Xh., 33 vjeç, banues në Kanin, T. B., 36 vjeç, T. Xh., 34 vjeç, S. V., 32 vjeç dhe K. H., 47 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë operacionit, këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në ambientet e jashtme të një lokali, me 20 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, një automjet, 10 aparate celulare, si dhe 1250 euro.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim./albeu.com/