LIVE/ Rama nuk voton rezolutën e opozitës për Kosovën: Do linjëzohemi në shenjë solidariteti me Prishtinën. Debate në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në një seancë të Posaçme, ku pritet miratimi i një projektrezolute që dënon sulmin e 24 shtatorit në Veri të Kosovës. Rithemelimi dhe Partia Socialiste kanë rënë dakord për një projektrezolutë të përbashkët.

Rezoluta e përbashkët parashikon mbështetjen plotësisht të Rezolutës të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023; hetimin ndërkombëtar dhe nxitjen për të vijuar dialogun me qëllim final njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Por nga ana tjetër, PD zyrtare e Bashës nuk bie dakord me këtë projektrezolutë, pasi thotë se nuk ka dënuar Serbinë.

Për këtë arsye, ata kërkojnë që rezoluta të pasurohet me 3 amendamente të propozuara prej saj. PD zyrtare kërkon që 5 vendeve anëtare të Bashkimit Europian të hedhin hapin për njohjen e Kosovës, të hiqen masat shtrënguese ndaj Kosovës si dhe të vendosen masa ndëshkuese për Serbinë.

Seanca e sotme pritet të jetë e gjatë dhe me debate, ndërsa do të ketë edhe 5 orë mocion me debat, ku deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do kenë mundësinë të diskutojnë për sulmin në veri të Kosovës.

14:25- “Rama përfaqëson denjësisht Shqipërinë”, Balla-opozitës: Përdorni sulmin në Kosovë për të sulmuar kryeministrin

Ministri i Brendshëm Taulant Balla mendon se Shqipëria e përfaqësuar denjësisht nga kryeministri Edi Rama ka qenë dhe do të vijojë të jetë në krah të Kosovës.

Nga Foltorja e Kuvendit, Balla tha se orientimi i Kosovës dhe Shqipërisë drejt Perëndimit është e ardhmja për sigurinë. Ndërsa në lidhje me miratimin e Rezolutës për Kosovës, ministri i Brendshëm tha se ky është hapi i duhur i Shqipërisë.

Balla: Shqipëria dhe Kuvendi sot dënon ashpër sulmin e 24 shtatorit në Kosovë ky akt është një sulm kriminal dhe është kërcënim për sigurinë me pasoja për Evropën tonë të përbashkët. Vrasja e një efektivi në krye të detyrës e bëri këtë akt edhe më të dënueshëm. Sot po përballen me tentativa për të ndërhyrë një të ardhme të begatë. Qëndrimi zyrtar i Shqipërisë përmes Ramës është i duhur. Ka ca këtu te ne, gjoja patriot të mëdhenj që nga inati i ditës e përdorin situatën e 24 shtatorit si instrument për të goditur kryeministrin e Shqipërisë.

Njëri kishte 10 minuta kohë sulmoi kryeministrin dhe nuk dënoi sulmin. Sikur iu hap barku. Shqipëria e përfaqësuar denjësisht nga qeveria e Ramës ka qenë dhe do të jetë përkrahë Kosovës. Sa më lart të ngrihet Shqipëria në nivel ndërkombëtar aq më e madhe do jetë mbështetja për Kosovën. Nuk ka qenë kurrë Shqipëria më lart sesa është sot. Orientimi i Kosovës dhe Shqipërisë drejt Perëndimit është e ardhmja për sigurinë. Shqipëria ka qenë dhe është përkrah Kosovës. Kuvendi sot duke e votuar me votë unanime këtë rezolutë tashmë të prezantuar nga kolegia Kodheli është hapi i duhur që duhet të bëjmë.

13:46- “Rama ka firmosur për ndarjen e Kosovës sipas oreksit të Serbisë”, Berisha: Fati i tij është i lidhur jetë a vdekje me Vuçiçin

Ish-kryeministri Sali Berisha, e ka akuzuar kryeministrin Rama se është argat i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Nga Kuvendi, Berisha tha se ata kanë për qëllim vetëm ndarjen e Kosovës sipas oreksit serb.

Berisha: Ata kanë një qëllim dhe vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës sipas oreksit serb. Sipas projektit të serbomadhisë. Ne ramë dakord për një rezolutë, në të cilën mbështetet pikë  për pikë, nen për nen rezoluta e Kuvendit të Kosovës. Kurse kreu juaj, Pashiqi shqipfolës, vëllai i Vuçiçit, argati i Vuçiçit, këtu në një fjalim të stilit të Muamer Gadafit, një orë e gjysmë, bëri gjithçka për të vazhduar përçarjen midis Shqipërisë dhe Kosovës. Sulmoi egërsisht kryeministrin e Kosovës. Përsëri shpalli projektin e ndarjes së Kosovës, të vendosjes së veriut të Kosovës nën kontrollin e KFOR-it. Përsëri përsëriti tezat e Vuçiçit për tokën e askujt. Përsëri foli për dallime ideologjike.

Më tej, Berisha tha se “fati i kryeministrit Rama është i lidhur për jetë dhe vdekje me atë të Aleksandër Vuçiçit.” Sipas Berishës, kreu i qeverisë është peng dhe argat.

Berisha: Po ai është pazgjidhshmërisht i lidhur me padronin e tij. Në histori, ky është i vetmi në Europë, që jashtë çdo lloj turpi, shpall Vuçiçin si faktor paqeje. A e dëgjoni që nuk përmend ndonjëherë Serbinë, në një kohë kur rezoluta që do votojmë, fillon me agresionin e Serbisë në Kosovë, vazhdon me agresionin e Serbisë në Kosovë? Guxon ky ta përmendë Serbinë? Jo mo kurrë. Ky është peng, ky është argat, ky ka firmosur diku për të ndarë Kosovën me oreksin e Serbisë

12:32- I përjashtuar nga Kuvendi, Bardhi: Rama nuk tha asnjë fjalë kundër Serbisë, zbuloi se ka një agjendë personale ndaj Kosovës

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i cili nuk është i pranishëm në seancën e sotme parlamentare sepse është përjashtuar me 10 ditë nga Kuvendi, e ka thënë fjalën e tij përmes një postimi në Facebook.

Teksa në Kuvend po diskutohet për Kosovën, Bardhi akuzon Ramën se nuk ka asnjë fjalë kundër Serbisë dhe për të dënuar sulmin e 24 shtatorit në Banjskë ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku.

Bardhi: E paimagjinueshme!  Seanca e sotme ishte për të dënuar sulmin terrorist të Serbisë ndaj Kosovës. Edi Rama në një orë fjalim, asnjë fjalë kundër Serbisë, asnjë reflektim ndaj qëndrimeve të tij kundër interesit kombëtar, por vetëm mllef ndaj opozitës, Kosovës, institucioneve legjitime të Kosovës dhe tentativë për të nxitur përçarje iracionale të faktorit politik në Kosovë.

Fatmirësisht, Kuvendi i Shqipërisë nuk ra në kurthin e tij të përçarjes për çështjet me interes kombëtar, por ka gjetur dakordësinë për të mbështetur pa rezerva Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe për t’u distancuar nga qëndrimi personal i Edi Ramës kundër Kosovës, siç opozita kërkonte prej 2 javëve. Pas përpëlitjes 2 javore PS u tërhoq dhe Kuvendi i Shqipërisë është unifikuar me të gjithë faktorin politik në Kosovë, duke bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe duke kërkuar hetim ndërkombëtar për të.

Kjo shpjegon mllefin ndaj opozitës në Shqipëri, por nuk justifikon dot mungesën e reflektimit që edhe qeveria e Shqipërisë të unifikohet në qëndrime me qeverinë e Kosovës. Në vend të unifikimit dhe mbështetjes ndaj Kosovës, Edi Rama edhe sot zgjodhi të mos fshehë që ka një axhendë personale ndaj Kosovës, që nuk përputhet me interesin kombëtar dhe me interesin e Kosovës e qytetarëve të saj.

12:20- Rama nuk do të votojë rezolutën e opozitës, Salianji akuza kryeministrit: Bëhet përgjegjëse Serbia prandaj s’e pranoni

Deputeti demokrat Ervin Salianji, pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se do të votojnë rezolutën e tyre dhe jo të opozitës siç u dakordësua dje, tha se mazhoranca ka marrë peng Kuvendin. Salianji deklaroi se rezoluta e prezantuar nga opozita dënon Serbinë si përgjegjëse e sulmit të ndodhur më 24 shtator në Kosovë ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku, dhe kjo është aryseja qe Rama nuk do ta votojnë.

Salianji: Ju e keni marrë peng Kuvendin dhe doni që edhe këtu… unë nuk jam te ata që mendoj se Rama është një debatues i dobët, por është mësuar dhe i është bërë ves ta ketë te trokuar debatin ta ketë të shtruar gjithçka dhe e patë që sesi në 1 or e gjysmë kryeministri nuk foli për Kosovën, kryeministri mbrojti veten për qëndrimet e tij ndaj Kosovës. Rama nuk foli për Vuçiçin dhe Serbinë por foli për armiqësinë me Kurtin dhe Kosovën, e patë se si në fund thotë një të pavërtetë. E di Rama u detyrua që të pranojë kërkesën tonë për të pranuar rezolutën ashtu si dhe e paraqitëm. Fjalimi i sotëm ishte kundër kësaj rezolute që ju do votoni. Dy pika nuk binte dakord PS që iu imponua grupi i PD. PS nuk pranonte të votohej rezoluta sepse në të bëhej përgjegjëse Serbia dhe e dyta sepse dënohej Serbia.

12:03- “Do votoni rezolutën tonë”, Rama-opozitës: Nëse s’doni, shkoni votoni në Asambletë e 7 partive tuaja. Gëzuar!

Kryeministri Edi Rama ka theksuar në Kuvend, ku po flitet për Kosovën, se kjo e fundit e ka fituar luftën ndaj Serbisë. Prandaj në këto kushte duhet të luftojë për paqen përfundimtare në Ballkan. Dhe Shqipëria, theksoi kreu i qeverisë, si pjesë e Evropës do të luajë rolin e saj në këtë aspekt.

Rama: Serbia e ka humbur luftën me Kosovës. shqiptarët duhet të luftojnë për paqen përfundimtare në këtë rajon. Shqipëria duhet të luajnë rolin e saj si pjesë e Evropës në Ballkan. Shqipëria duhet të bëjë të sajën për Kosovën dhe për paqen. Këtë po bën dhe këtë do bëjë. Kush s’më kupton sot, do e kuptojë nesër. “Paqja nuk është mungesa e konfliktit, por aftësia për ta trajtuar konfliktin paqësisht.” Mes Serbisë dhe Kosovës, luftën e ka fituar Kosova. Ai që e ka fituar luftën është më i interesuar për paqen se sa ai që e ka humbur luftën. Asnjëherë Shqipëria nuk do të barrikadohet ndaj askujt, përfshirë edhe Serbinë. Ne duhet të luftojmë për vizionin e shpallur të kësaj force në rajonin tone, ku vizioni ynë është të garantojmë një paqe që sjell siguri të plotë. Malli që do të shtrenjtohet dita-ditës është siguria. Nëse siguria humbet nuk do të vlejë më asgjë.  Do të luftojmë për të afruar sa më shumë të ardhmen e mohuar me shekuj për shqiptarët. Do të luftojmë me strategji, me sa më shumë aleatë dhe partnerë, me mesazhe të qarta.

Kreu i qeverisë, tha se pa botën demokratike Shqipëria nuk do të kishte bërë kurrë progresin që ka bërë.ai theksoi se fëmijëve duhet t’i trashëgojmë paqe dhe jo luftë e armiqësi. Në fund, Rama tha se nuk do të votojnë rezolutën e prezantuar nga opozita edhe pse dje u ra dakord.  Ai tha se do të votojnë rezolutën e thjeshtë të prezantuar nga PS.

Rama: Më keni kërkuar gjatë dhe u keni rënë shumë daulleve. Të paktën mos më kërkoni, po më mori malli vij vetë, po s’më mori shkoni kapeni qeverinë kapni karrigen. Se e vetmja mënyrë për të marrë pushtetin është të merrni karriget kur PS është pushim. Ju fitoni ne qeverisim. Ju o do votoni rezolutën tonë, atë të thjeshtën fare, ose ato rezolutat tuaja mund t’i votoni në Asambletë e 7 partive tuaja. Ne do miratojmë këtë, do linjëzohemi 100% në shenjë solidariteti me qeverinë e Kosovës dhe do vijojmë sesi do të vazhdojmë më tutje për sigurinë e padiskutueshme që duam për Shqipërinë. Gëzuar!

11:47- “K*çka e vjetër që s’na ka dashur kurrë…”, Rama mesazh Kosovës

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend, ku pritet miratimi i rezolutës për Kosovën, tha se, e kanë cilësuar vëlla të Aleksandër Vuçiçit për shkak të një deklarate të njëjtë me presidentin e Serbisë.

Ai u shpreh me ironi se, akuza ndaj tij për këtë çështje, janë njësoj si me aktakuzën dhe disa thirrje nga salla, kundër Europës, “si kuçka e vjetër që s’na ka dashur kurrë dhe do i lërë në baltë”.

Rama: Atyre shqiptarëve kudo që janë që në emër të Allahut u vërsulën ndaj Izraelit dhe duke glorifikuar terroristët Hamasin, u sugjeroj të ulen në gjunjë dhe të lexojnë Kuranin. Me sytë e mendjes së tyre, jo të dëgjojnë të dalët mendsh, por t’i binden e profestit Muhamed “Paqja e Zotit qoftë mbi ta”, ku i porosit: Mos jini njerëz që kërkoni hakmarrje, por falni dhe pajtoni. Mos jini njerëz që kërkoni përçarje, por jeni ata që pajtojnë duke i bërë njerëzit bashkë”.

Le të kthehemi te armata mediatike e hedhur për të masakruar vëllain e Vuçiçit, ku unë kërkova të njëjtën gjë si armiku nga Beograd. Sa herë aktakuza ndaj meje vjen në sallën e gjyqit nacional folklorik, këtej dhe andej bjeshkëve, rivijnë dhe me aktakuzën disa thirrje nga salla, kundër Europës, si kuçka e vjetër që s’na ka dashur kurrë por duhet me i tregu vendin me Bashkinë kombëtar, deri në dhëmbë me luftën finale me armikun, me shkjaun, se kuçka e vjetër do na lërë në baltë, siç na ka lënë gjithmonë, e lloj lloj klithmash që tingëllojnë si të folura me vete. Këtyre thirrmave u bashkuan dhe piskamat e thirrjes time që KFOR të marrë kontrollin e veriut.

Kreu i qeverisë më tej iu drejtua Kosovës duke i thënë se paqja bëhet me armikun (Serbinë), jo me vëllain.

Rama: Si mund të garantohet qetësia atje në mënyrë përfundimtare, nëse nuk garantohet në mënyrë përfundimtare paqja në mënyrë zyrtare me Serbinë, Paqja bëhet me armikun, jo më vëllain. Kam kuptuar se nuk jam aq i mençur për ta kuptuar këtë, por pse duhet harxhuar kaq shumë kohë dhe kreditë. Problemi i vërtetë është se sovraniteti i Kosovës mund të lëndohet përmes kësaj rruge, por jo nga rritja e kontrollit nga KFOR, por çdo ditë mund të lindë një telash i ri antishtet.

11:38- Ironizon Rama: Bjerini tastierës dhe shani Ramoviçin më shumë se Vuçiçin, bëni luftë civile në Facebook pastaj thoni ju vodhëm votat

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën dhe lidhjet që i bëjnë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Rama thotë se kjo “arenë lufte” e përdorjes së personalitetit politik me fyerje dhe jo me argumente i ka shndërruar deklaratat politike në luftë civile dixhitale. Rama më pas përmendi fitoren në Kukës nga ku ironizoi edhe arsyen e përdorur nga opozita për humbje ndërsa garantoi se PS do jetë fituese edhe në 2025.

Rama: Kush nuk ka mizë nën kësulë, dhe kush nuk ka gurë për të hedhur pa e fshehur dorën bën luftën civile kur është për të bërë luftën, dhe bën paqen atëherë kur duhet të bëjnë paqen. Ata që harrojnë se pa Ramushat e të tjerët s’do kishin lirinë e fjalës, ku sot shahen shqiptarë me shqiptarë që ka degraduar si luftë civile që e merr fryëzimin këtu.

Tjetri sulmohet për t’i rrëzuar personalitetin dhe jo argumentin. Rroftë sebepi i Serbisë se tradhtarët s’janë dosido, Edvin Ramoviçi, bjerini tastjerës për të luftuar me Ramoviçin, më shumë madje sesa me Vuçiçin. Këtu në Tiranë kështu fitohen me imagjinatën e së shkuarës ata që mendojnë se do jenë në të ardhmen. Siç ndodhi në Kukës, se natyrisht vota u vodh nga dora e Vuçiçit. Por megjithatë fitorja ishte më e fortë dhe do jetë edhe më e fortë në zgjedhjet e ardhshme, do ta shikoni. Procesi i Berlinit, gëzon mbështetjen e qeverisë së Kosovës dhe për here të parë do të zhvillohet jashtë kufijve të BE-së. Shqipëria ëhstë shtet me një pozicionim gjithnjë e më të konsoliduar.

11:25- “Paqja bëhet me armikun, jo me vëllain”, Rama: Albinin e kam mik, por kemi divergjenca botëkuptimore për dialogun

“Paqja bëhet me armikun, jo me vëllain.”

Kjo ishte deklarata e kryeministrit Rama që mori duartrokitje në Kuvend ditën e sotme, ku po flitet për situatën në Kosovë dhe qëndrimin e qeverisë shqiptare.

Rama: Problemi i vërtetë është që sovraniteti shtetëror i Kosovës mund të lëndohet. Mund të lindë një telash i ri antishtet për Republikën e Kosovës. duhen prerë thonjtë e krizës në Kosovë, sepse kjo është tragjedia e Kosovës sot. E vërteta më e hidhur është se e gjithë kjo tollovi gërmash shqip, në lumenjtë e thëna nga të dyja anët, gjaku i heronjve të Kosovës, nga Adem Jashari, te Afrim Bunjaku, përzihet me vrerin e inateve politike provinciale, i cili shpërndahet në rrjetet sociale të porositura.

Kreu i qeverisë, tha se kjo nuk i bën dëm atij, por dinjiteti të Kosovës dhe procesit të shtet-njohjes përfundimtare të Kosovës.

Rama: Albin Kurtin e kam mik më shumë se Ramush Haradinajn. Me Albinin nuk kam pasur kurrë asnjë problem personal, por me kryeministrin aktual të Kosovës kam divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si arrihet te qëllimi i përbashkët ndërkombëtar. Fakti që me Ramushin kemi pasur një krisje në miqësi, nuk më pengon të shpreh këtu neverinë më të madhe për një video të porositur dhe shpërndarë kur Ramushi shfaqej duke trokitur gotat me përfaqësuesit e listës serbe. Do të ishte e neveritshme që të sulmohej për diçka të tillë, duke u futur në rreth si tradhtar i kombit. Kush nuk ka mizë nën kësulë dhe kush nuk ka gur për të hedhur pa e fshehur dorën, bën luftën kur është për të bërë luftën dhe bën paqen kur është për të bërë paqen. Turpi i mbuloftë ata që e harrojnë me lehtësi se pa qindra dhe mijëra Ramushët e UÇK-së nuk do ta gëzonin lirinë.

11:04- U kritikua për qëndrimin ndaj Kosovës, Rama: Trushpëlarje propagandistike, përdorni vrasjen e policit për qëllime elektorale

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se Kosova po humbet shansin historik që po i jep plani franko-gjerman për shkak të qasjes së gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut.

Rama më pas u ndal edhe te kritikat që opozita shqiptare por edhe një sërë personalitetesh në Kosovë kanë bërë ndaj tij dhe PS-së për qëndrimet e mbajtura nga Shqipëria për ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Albeu.com (@albeucom)

Kreu i qeverisë tha se është shumë e ulët të përdoret vrasja e një polici për qëllime elektorale dhe për shpifje të kësaj natyre. Sipas tij, këto deklarata janë marifete politike për të luajtur me opinionin publik të popullatës si dhe për të nxitur armiqësinë përmes trushplarjes propagandistike.

Rama: Interesi ynë strategjik për një paqe përfundimtare është në përputhje të plotë qoftë me interesin tonë kombëtare, qoftë me interesin strategjik. Ku është saktësisht problemi i reagimit të Shqipërisë në lidhje me ngjarjen në Banjskë? Halli është se si të mos lihet rast i dhënë apo i shpikur për të masakruar mua apo PS. Me lloj-lloj teorish të shpikua, konspiracione etj. Ishte e dhimbshme të shikoje në dy anët e kufirit daljen aq ashiqare në pah, shfrytëzimin e humbjes së jetës së policit për të rritur mbështetjen politike, duke lëshuar rrugëve sharjet më të përdala që të rentabilizohej revolta e shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri, me ushëtimin e ndjenjave armiqësore ndaj meje, gati-gati si të isha organizator në atë vrasje.

Një lukuni e etur për sherr, për të ardhur keq nivelin etik, moral. Furia mori edhe më kot kur unë përsërita qëndrimin tim të njohur mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR. Fokusimi te suksesi dhe jo te dështimi të planit franko-gjerman. Nuk duhet shkencë këtu, duhet logjikë për të kuptuar se ai asociacion duke mos u bërë është kthyer në një litar. Ky litar do vazhdojë të shtrëngojë këmbët e Republikës së Kosovës. Kosova sot po rrezikon ta humbasë shansin historik që po i jep plani franko-gjerman. Për shkak të mosbërjes së asociacionit, po humbet dita-ditës besimin dhe respektin e atyre që e njohin si shtet të pavarur dhe që janë betuar ta çojnë deri në fund njohjen edhe nga vendet e tjera si një Republikë e Pavarur. Nëse asociacioni bëhet si duhet, Serbia nuk do lëvizë dot aq lirshëm duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut.

10:43- “Do them të vërtetat e mia për Kosovën”, Rama: Duhet të reflektojë për kritikat e Brukselit dhe Uashingtonit

“A besoni se ndarja e Veriut të Kosovës mund të mund të jetë një zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë. Pra ndarja apo shkëmbimi i territorit mes Serbisë dhe Kosovës?”

Kjo ishte pyetja që deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku i drejtoi kryeministrit Rama të cilin e ka thirrur në Interpelancë lidhur me çështjen e Kosovës.

Kreu i qeverisë, tha se Kuvendi i Kosovës është në të drejtën dhe detyrën e tij të miratojë rezoluta të kësaj natyre për sa i përket ngjarjes tragjike të 24 shtatorit ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku, pas sulmit nga grupi terrorist serb.

Rama: Cilat vende miratojnë rezoluta të tilla? Cili është qëllimi i një nisme të tillë? Përtej propagandës kinse patriotike për audiencën e brendshme kombëtare. Draft-rezoluta të tilla të vendit tonë shfaqen me shpejtësi të rrufeshme për propagandë kundër qeverisë. Në cilin planet duhet të kërkojmë për ta përshtatur këtë kategori mocionesh për debate dhe me sherrnjanë si ajo e barrikadave trupore të seancës së shkuar me akuza për tradhti e tradhtarë. Botës demokratike jo njëherë. Ne nuk mund ta mbrojmë dot shëndetin e demokracisë tonë parlamentare nga helmet që lëshohen këtu. Ne mund të themi vetëm fjalën tonë të lirë, e cila nga imponon zhvillimin e një debati që dihet kush dhe pse e kërkon.

Rama tha se sot do të thotë të vërtetat e tij për Kosovën. Duke u ndalur të sulmi në Banjskë, Rama tha se kriza i nguli në fyt thonjtë dialogut.

Rama: Lajmi i vrasjes së efektivit Bunjaku në krye të detyrës ishte një bombë që shpërtheu me forcën tronditëse të një sinjali të përshkallëzimit të konfliktit në atë skenë. Ndezi llambën e vjetër të krizës ballkanike. Zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjes kishte pamjen e një materiali arkivor nga lufta e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ngujimi i serbëve në manastir ishte ftesë për ta çuar konfliktin e armatosur në një rrugë pa kthim. Fundi i ngjarjes ishte shembullor falë veprimeve të forcave të sigurisë të Kosovës të cilat nuk ranë në kurth, por neutralizuan rrezikun. Shpallja e zisë nga ana e Beogradit ishte shëmbëlltyra e gjallë e hijes së të shkuarës, e cila bashkëjeton me Serbinë që nga disfata e saj finale në vitin 1999 në Kosovë. Por, Kosova duhet të reflektojë për kritikat e Brukselit dhe Uashingtonit.

10:30- Salianji kërkon të flasë në Kuvend, Garda bllokon foltoren, Nikolla: Fjalën e ka kryeministri, mos e bëni pis seancën

Me tensione po shoqërohet seanca e sotme plenare. Deputeti i PD-së, Ervin Salianji kërkoi që të merrte fjalën, ndërkohë që Nikolla tha se nuk mund të ndërhynte në mes të interpelancës dhe se fjalën e kishte Rama.

10:20- Çollaku thërret Ramën në Interpelancë: A besoni se ndarja e Veriut të Kosovës është zgjidhje për paqen me Serbinë?

Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku ishte i pari që mori fjalën në seancën e sotme plenare ku do diskutohet për Kosovën. Ai ka thirrur në Interpelancë kryeministrin Rama, të cilit i kërkoi disa përgjigje lidhur me situatën në veri të Kosovës, ku më 24 shtator 2023 në orët e para të mëngjesit një grup terrorist, në formacion dhe i uniformuar ushtarakisht, në Zveçan pranë Manastirit të Banjskës, sulmoi një patrullë policore të policisë së Kosovës duke vrare një oficer policie, rreshterin Afrim Bunjaku, dhe plagosur dy të tjerë, shkruan albeu.com.

Çollaku: Motivi që ju kam thirrur sot shkon përtej betejave politike. Ky Parlament ka të drejtë të sqarohet për disa qëndrime tuaja dhe të qeverisë suaj në raport me Kosovën. Në datën 19 qershor ju në Twitter, duke iu shtuar radhës të atyre që kishin vënë në n presion kryeministrin Kurti keni deklaruar” Albin dil nga vetëizolimi, deeskalo situatën, tërhiq forcat sociale ose në të kundër rrezikojmë të kemi një republikë të KFOR në veri të Kosovës. Më 24 qershor, një komando e armatosur serbësh tentuan të sulmojnë pjeën veriore të Mitrovicës.

Pas kësaj ju keni kërkuar nga KFOR-i të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Kjo do të ishte një hap drejt ndarjes së Veriut të Kosovës. Më pas në një intervistë, keni deklaruar se Veriu i Kosovës është “një tokë pa zë”. Zoti kryeminsitër nëse do më thoni se këto janë lapsuse apo gafa politike, kjo Interpelancë do mbyllej këtu. Shqetësimi im është tjetër, sepse të kombinuara me njëra-tjetërn, lënë hapësirë për të dyshuar ose për t’iu pyetur nëse ju e besoni se ndarja e Kosovës mund të jetë një zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë. Një zgjidhje e qëndrueshme?  Pra ndarja apo shkëmbimi i territorit mes Serbisë dhe Kosovës. A besoni se në këto kushte mund të hapej loja e kufijve në Ballkan? Ka shumë diplomatë të huaj që janë të familjarizuar me tezën se ndarja e Kosovës mund të jetë zgjidhja permanente e zgjidhjes së krizës? ? A mund t’ia deklaroni këtë shqiptarëve? Apo duhet të sqaroni publikun shqiptar që këto ide do të jenë të papranueshme, për ju Kosovën dhe popullin./Albeu.com. 


Shtuar 12.10.2023 12:12